Nga Mero Baze
Më poshtë po ju rreshtoj disa nga kontradiktat që përmbajnë qëndrimet publike të disa politikanëve dhe gazetarëve në raport me importin e plehrave në Shqipëri, që dëshmon se ata nuk kanë asgjë me plehrat, por thjesht e kanë me faktin që nuk i kanë sjellë dot vetë.
Ankesa e parë ka ardhur nga Sali Berisha. Ai ankohet se Edi Rama i ka vjedhur fjalimet e vitit 2011, kur Berisha miratoi ligjin për importin e mbetjeve në Shqipëri, duke futur aty dhe mbetje të diskutueshme për rrezikshmërinë e tyre. Ai nuk pranon se atëhere kishte gabuar, por ankohet se Rama po i vjedh idetë.
Edi Rama nga ana e tij ankohet se Basha po i vjedh fjalimet e vitit 2011 Ramës, dhe po lexon ato fjalime kundër importit të plehrave. Kjo sipas Ramës tregon se opozita udhëhiqet nga një lider pa ide.
Basha vetë ankohet se Berisha nuk e ka pyetur në vitin 2011, kur ka miratuar ligjin, por tani ai nuk e “pyet” më Berishën dhe do ta kundërshtojë atë.
Ben Blushi ankohet se Erion Veliaj nuk e ka lënë të realizonte projektin e tij në qeverinë “Nano” për importin e plehrave nga kompania e Francesko Becchetit në vitin 2004, e cila ishte thuajse ortake zyrtare me familjen dhe kabinetin e Fatos Nanos. Ai akuzon Erion Veliajn se me ato sulme kundër projektit të plehrave të qeverisë Nano-Beccheti, Veliaj shpejtoi rënien e socialistëve nga pushteti. Blushi e thotë me aq shumë dhimbje faktin që Veliaj ua dogji projektin e plehrave, sa synon të bëjë aleat dhe Bashkim Finon, që në atë kohë paska hëngër një vezë nga “Mjaft”. Nuk di çka me Bashkimin, por ai është konseguent, pasi si atëhere, dhe tani, pro ka qenë.
Veliaj ankohet se Blushi po i vjedh sot kauzën e vitit 2004 dhe është 12 vjet pas tij, duke tentuar të bëjë politikë me plehrat.
Kandidati për kryetar i LSI, Përparim Spahiu, ka shpallur ndërkohë platformën e tij elektorale dhe si pikë të parë ka protestën kundër plehrave. Ilir Meta ka abstenuar në votim, dhe nuk dihet ende qëndrimi i tij, por është e sigurt, që nëse nuk i del Meta përballë, Rimi e ka gati kundër kujt ta bëjë fushatën, pra kundër Ramës. Kështu pëlqehet dhe më shumë në LSI.
Andi Bejtja, gazetari më i spikatur kundër Ramës, është prishur keq me të, pasi ish-pronari i TV Agon Channel, Francesko Beccheti, u shpall në kërkim nga Prokuroria e Shqipërisë. Familja Beccheti është monopolistja më e madhe e përpunimit të plehrave në Itali dhe disa pjesëtarë të kësaj familje, janë në burg për afera me plehrat. Beccheti u zhvendos në Shqipëri të realizonte një projekt me Fatos Nanon për importin e plehrave nga Italia në vitin 2004. Projekti i tyre filloi me blerjen e mediave kryesore në vend përmes një fushate reklamash të majme dhe korruptimin e figurave kryesore të qeverisë. Paradoksi i Bejtes është se ai është konfliktuar me Ramën për Becchetin, ndërsa tani rrezikon të konfliktohet me Becchetin si tradhtar i çështjes së plehrave.
Edhe Artur Zheji është tani një kundërshtar i importit të plehrave, ndërkohë që në fushatën më të madhe për importin e plehrave pa doganë në vitin 2004, drejtonte TVSH dhe ishte në krah të kryeministrit Nano për këtë fushatë. Ai ishte mbrojtësi më i zjarrtë i kësaj fushate, ku kabineti “Nano” angazhoi dhe personel të tij në koorporatën e plehrave. Ende sot ka atavizma të lidhjeve familjare Nano-Beccheti për shkak të kësaj historie.
Frrok Çupi, i ricikluar si demokrat, pasi ka drejtuar nga viti 2004 gazetën e fushatës së plehrave “Agon”, e financuar nga Beccheti, e cila megjithëse ishte një gazetë paçavure, kishte çdo ditë dy faqe reklamë për nevojën e importit të plehrave dhe prodhimin e energjisë me to në Shqipëri. Gazeta lindi dhe vdiq me shpresë se do t’ia dilte të sillte plehrat në Shqipëri. Tani që gazeta është mbyllur, Frroku është ricikluar në një luftëtar kundër plehrave.
Koço Kokëdhima ka qenë iniciator për krijimin e një konsorciumi për importin e plehrave në vitet 2000 së bashku me disa biznesmenë të tjerë, por konflikti i tij me Fatos Nanon e mënjanoi dhe në skenë doli Beccheti. Pas kësaj ai ju bashkua betejës kundër importit të plehrave, madje financoi dhe shoqatën e krijuar në atë kohë. Prej atëhere, nuk ka pasur ndonjë shans tjetër për import plehrash dhe është kundër rivalëve të vet në këtë fushë.
Kjo listë mund ta vazhdojë dhe më gjatë, për të treguar se shumë nga personazhet publikë që po mbajnë gjallë një debat për importin e mbetjeve të seleksionuara si lëndë e parë, dhe që po ankohen se nuk kanë mbështetje popullore në thirrjet e tyre, duhet të shikojnë problemin që kanë me vetveten dhe sponsorët e plehrave në karrierën e tyre. Ndryshe nga këta që përmenda si inkoseguentë, ka dhe gazetarë dhe media që mbeten konseguentë, siç është Blendi Fevziu dhe TV Klan, të cilët kanë menduar gjithnjë siç ka menduar qeveria për këtë çështje.
Jashtë kësaj liste ka plot gazetarë kritikë me qeverinë e sotme, por që së paku kanë qenë konstantë në qëndrimin ndaj importit të mbetjeve në Shqipëri.
Nuk po ua përmend emrat, pasi nuk dua t’i përziej me betejën e plehraxhinjve, e cila s’ka asnjë lidhje me betejën kundër plehrave në Shqipëri.
/gazetatema.net/