Kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili në një bashkëbisedim me gazetarët në kryesinë e Kuvendit ka deklaruar votën pro paketës me 7 ligjet mbështetëse, në funksion të zbatimit të reformës në drejtësi të lëvizjes Socialiste për Integrim.
I pyetur në do të cënohet zbatueshmëria e reformës, Vasili u shpreh se kanë një qëndrim të palëkundur që reforma të ecë përpara por gjithashtu janë të hapur për çdo përmirësim të mundshëm që vjen nga të gjithë palët.
Vasili gjithashtu foli për takimin me ambasadorët e SHBA dhe BE në Tiranë.
Vasili: Pasdite kemi pasur një takim me Ambasadorin e SHBA dhe BE në Tiranë. Tema e vetme ishte reforma në drejtësi. Është moment i një rëndësie të veçantë, jemi drejt përfundimit të miratimit të paketës së 7 ligjeve që jetëson zbatimin e reformës madhore që u arrit me konsensusin në mesnatën e 21 dhe 22 korrikut. Këto ligje këtë konsensus të madh të arritur dhe këto ndryshime kushtetuese i kthejnë në një veprim praktik për të gjithë arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë që ndërtohet në bazë të ndryshimeve kushtetuese.Ne konfirmuam vullnetin e grupit parlamentar të LSI për të mbështetur pa hezitim miratimin e plotë të kësaj pakete, të këtyre 7 ligjeve që janë kyç për të ardhmen e reformës.
Së dyti nënvizova në emër të grupit parlamentar se fryma e konstruktivitetit dhe mirëkuptimit maksimal duhet të vazhdojë të mbizotërojë, pasi zemra e proçesit ka kaluar me konsensus të gjerë, siç ishin ndryshimet kushtetuese.Në këtë frymë duhet të ecim dhe për ligjet që presin të kalojnë sallën e parlamentit me 29 shtator duke nënvizuar dhe rëndësinë e madhe që ato kanë, por duke vazhduar të kemi po atë qëndrim të hapur që siguron brenda të gjitha mundësive politike një mirëkuptim sa më të gjerë. Besojmë që debati nuk duhet të jetë një debat që të na ndajë por të na bashkojë. Nuk duhet të jenë debate të pakapërcyeshme. Reforma duhet të marrë rrugë sa më parë.Ne do vazhdojmë të kontribuojmë edhe në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi me këtë frymë.Të krijojmë sa më shumë hapësira që të kemi sa më shumë mirëkuptim.
Cila do të jetë vota e LSI në rast se opozita do të bojkotojë ose nuk do të votojë?
Vasili: Kemi vullnet të palëkundur që reforma të ecë përpara. Nuk mund të ketë kthim pas. Debati është i mirëkuptuar, por konstruktiviteti për të pasur një zgjidhje sa më shpejtë dhe ligje sa më cilësore dhe për ti miratuar me 29 shtator është një qëndrim politik i pandryshuar.
Mund të cënohet zbatueshmëria e reformës, kujtojmë që PD do i drejtohet gjykatës Kushtetuese për vettingun.
Vasili: Duhet të ecim me ligjet, të kemi kosntruktivitet. Çdo përmirësim dhe reflektim deri në momentin e miratimit është i mirëpritur. Qëndrim i palëkundur që reforma të ecë përpara por njëkohësisht të hapur për çdo përmirësim të mundshëm që vjen nga të gjitha palët.