Me anë të një postimi në Facebook, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, theksoi se kanabisi ishte një fenomen i kudondodhur, por i fshehur nga sytë e publikut deri në vitin 2013. Në këtë mënyrë ministri Tahiri, akuzon qeverinë e Berishës që sipas tij mjaftohej me komunikata sekrete për rrënjët anembanë Shqipërisë dhe garantonte fitimet marramendëse të Republikës së Lazaratit.
“E ndaj plotësisht opinionin e Kryetarit të Kuvendit që kanabisi nuk luftohet duke iu shmangur të vërtetës, gjë që Partia Demokratike po e bën fatkeqësisht çdo ditë! Kush bën sot sikur çuditet, i shmanget qëllimisht të vërtetës se kanabisi ishte një fenomen i kudondodhur, por i fshehur nga sytë e publikut deri në vitin 2013, nga një qeveri e polici që mjaftohej me komunikata sekrete për rrënjët anembanë Shqipërisë dhe garantonte fitimet marramendëse të Republikës së Lazaratit!
Ndërsa kush çuditet pafajësisht sot nga ky fenomen, është viktimë e asaj politike të vjetër që i shmangej përballjes me fenomenin, duke e mbajtur jashtë vëmendjes së opinionit e të mediave!
Ilir Meta ka shumë të drejtë kur thotë se duhen dëgjuar edhe ndërkombëtarët. Kanë folur shumë qartë për vite me radhë, ndaj sot është inkurajim i madh çdo gërmë e raporteve të Departamentit të Shtetit dhe Gurdia di Finanza-s, të cilat e kanë cilësuar luftën tonë të tanishme shumë shkoqur: “rezultate mbresëlënëse, falë angazhimit të lidershipit politik”.
Natyrisht që kjo është një luftë që është larg së qëni e fituar, por siç do të tregojnë faktet e shifrat që kemi bërë publike e do bëjmë në vazhdim së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, është një luftë me rezultate që deri përpara tre vitesh as që mund të parafytyroheshin”, shkroi Tahiri.