Nga Arben Llalla
Është e dyta herë brenda një jave që Eduard Zaloshnja publikon të njëjtin “studim tregu” në lidhje me zgjedhjet në Dibër. Gati në mënyrë sfiduese ish-agronomi i politikës kërkon zgjidhjen e një ekuacioni. A do të jetë fitues bashkëpunimi mes PS dhe PDIU-së në Dibër, pa LSI-në? Nuk është e fshehtë që Zaloshnja e ndihmon rrogën me fonde që vijnë nga selia e Sheshit Wilson në Tiranë. Sipas analistit bujqësor, LSI nuk është përfshirë në fushatë, kurse PDIU e ka marrë me zell këtë punë.
Pikërisht, sot, teksa botohet ky sondazh u bë përmbyllja e fushatës elektorale në Dibër nga të dyja kampet. Në atë qeveritar në tribunë u shfaqën shumë udhëheqës, jo vetëm Edi Rama dhe Gramoz Ruçi, por edhe Petrit Vasili. Në fakt ra në sy që nuk ishte asnjë nga ligjvënësit apo drejtuesit e PDIU-së. Një parti që çon në Dibër numrin 2 të saj për të mbështetur kandidatin e aleatit të vet socialist quhet e papërfshirë? Kurse një parti që nuk ngre në tribunë asnjë deputet apo udhëheqës vendor quhet e përfshirë?
Nejse, kjo mungesë e PDIU-së rrëfen se kjo forcë politike e ka vlerësuar aq sa duhet këtë fushatë elektorale, e cila është krejtësisht vendore, ndaj ia ka besuar thjesht drejtuesëve të saj në Peshkopi. Janë këta drejtues që në zgjedhjet e fundit lokale morën me numër, vetëm dy vota më pak se LSI, ndaj nuk kanë përse të mbështeten më shumë se kaq në udhën e tyre. Kuptohet rezultati i PDIU-së në Dibër ka ngjallur mërinë dhe xhelozinë, kryesisht të Sheshit Wilson, sepse një realitet politik në rritje kujton kohët e dikurshme, kur nga i vogël bëhesh i madh. Shqipëri është, ndaj konkurenti nuk është se dashurohet.
Kjo është arsyeja e këtyre shkrimeve apo e ngazëllimit që Edi Rama është thyer para presionit grek për ta përfshirë PDIU-në në qeveri. Si në kohën e princërve arbër që për të thyer sho-shoqin thërrisnin në ndihmë osmanët, edhe sot thërrasim në ndihmë grekët.
Por, le t’i kthehemi real-politikës. Në Dibër sido që të jetë PDIU nuk i fiton dot zgjedhjet për PS-në, as i humb dot ato për llogari të PS-së. Është PS-ja që i humb apo i fiton zgjedhjet. Nëse rezultati i kësaj partie është zhgënjyes, nuk ka PDIU a LSI që ta shpëtojë, sepse zgjedhjet nuk fitohen me bedelë. Ndaj, PDIU mund të ndihmojë fitoren, por nuk është thembra e Akilit. Kështu që në një dështim të mundshëm nuk ka përse ta gjejë kush alibinë tek PDIU. Me ç’duket kjo është strategjia e Zaloshnjës dhe pagatorëve të tij. Nëse humb Muharrem Rama, fajin e ka PDIU, nëse fiton Muharrem Rama fitoren e kemi të gjithë bashkë. Në fakt, kjo nuk është politikë, por hesap bakalli. Në Dibër përballen kandidatët e koalicionit të PS-së dhe koalicionit të PD-së, pra nëse lokomotiva nuk tërheq si duhet, fajin nuk e kanë vagonat, edhe sikur ato të transportojnë pesha të rënda si Ilir Meta apo Kreshnik Spahiu.