Deputeti demokrat Belind Këlliçi dorëzoi në Gjykatën Penale padinë ndaj dy policëve të cilët pretendon se e kanë dhunuar gjatë protestës për shembjen e Teatrit Kombëtar. Për mediat, deputeti deklaroi se kur kanë kaluar dy vjet nga protesta, tashmë janë identifikuar dy policët, të cilët tha ai do të përballen me ligjin.
Këlliçi u shpreh se padinë e bën për t’i dhënë një mesazh të qartë Policisë së Shtetit se nuk mund të sillet në mënyrë arrogante ndaj qytetarëve, ndërsa paralajmëroi surpriza.
Lexo edhe: Këlliçi: Do e kallëzoj Veliajn nëse zgjidhem kryebashkiak
“Sot dy vite e 6 muaj pas asaj mbrëmje paraqitem për shkak se janë gjetur policët që më kanë marrë me dhunë atë natë dhe do të shkojnë në gjyq. Ata policë që kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi. Qytetarët janë të barabartë dhe nuk duhet të dhunohen. Sot u shty seanca për në muajin dhjetor, për shkak se mungonte një nga të pandehurit. Jam i bindur se gjatë zhvillimit të këtij procesi do të njiheni me një surprizë dhe do të shikoni çudira gjatë këtij procesi. Unë do t’i shkoj deri në fund kësaj çështje, sepse nuk isha vetëm unë në qeli. Unë këtë kallëzim e kam bërë për t’i dhënë një mesazh të qartë Policisë së Shtetit sepse policia nuk mund të ketë këtë sjellje barbare ndaj qytetarëve të Tiranës”, tha deputeti i PD.