Një shqiptar që sapo ishte arrestuar në Greqi hoqi prangat dhe tentoi të arratisej, teksa po çohej në prokurori. Megjithatë, tentativa e tij për arrati nuk zgjati shumë, pasi policia e ndaloi dhe e vendosi sërish në pranga për ta çuar më pas para drejtësisë.
Prokuroria e Rrethit Heraklion e ka proceduar shqiptarin për veprat penale posedim, fshehje dhe trafik droge dhe tentativë arratisjeje. Mediat fqinje bëjnë me dije se ai kishte fshehur kokainë në trungun e një ulliri.
Shqiptari akuzohet për trafik droge në zonën e Tympaki dhe Moira, pasi efektivët e policisë së departamentit Phaistos zbuluan 107 gramë kokainë në një pemë ulliri dhe 2.6 gramë të tjera në shtëpinë e tij. Sasia totale prej 109.6 gramë do t’i jepte rreth 170 doza kokainë.