Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë shkaktuar përmbytje në Shkodër. Rrugët e kryeqendrës së veriut janë mbuluar nga uji.
Për shkak të reshjeve intensive, pedonalja thuajse është kthyer në një “lumë të rrëmbyeshëm”, duke sjellë kështu probleme me lëvizjen e qytetarëve.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme shiu i dendur ka krijuar gjithashtu probleme në zonën e turistike të Shëngjinit. Uji ka vërshuar në rrugë dhe rrugica në disa zona të këtij qyteti turistik.
Kjo situatë është e vazhdueshme sa herë ka reshje shiu dhe shkaku kryesor janë ndërtimet pa kriter, të cilat kanë bllokuar sistemin e kanalizimeve. Ndërkohë, sinoptikanët kanë parashikuar përmirësim të ndjeshëm të kushteve të motit gjatë ditës së sotme.