Instituti i Studimeve Politike ka bërë një studim lidhur me sesionin e kaluar lidhur me deputetët më aktivë në Kuvend. Sipas studimit të ISP-së vihet re se cilët janë deputetët më aktive, ku vendin e parë deputetja demokrate Jorida Tabaku dhe më pas vjen Erion Braçe nga PS-ja. Konkretisht deputetja demokrate, Jorida Tabaku vlerësohet me 75.9 pikë nga 100, ndërsa Erion Braçe me 75.7 pikë.
Pas tyre renditen deputeti Bajar Leskaj nga PD me 70.5 pikë, Ina Zhupa nga PD me 70.4, Petrit Vasili nga Partia e Lirisë me 70.1, Enkelejd Alibeaj nga PD me 63.6, dhe Taulant Balla nga PS me 60.3 pikë. Nga ana tjetër, sipas ISP-së, deputetët më “dembelë” janë Agron Çela, nga Partia e Lirisë, dhe deputeti demokrat Alfred Rushaj.
“Ka edhe politikanë të njohur, kryesisht nga opozita, të cilët kanë pasur nivel minimal angazhimi parlamentar, ndoshta nga synimi i tyre për të qëndruar të tërhequr nga zhvillimet politike, për shkak të klimës së tensionuar brenda saj ose dhe vështirësive për të përballuar presionin ose pendimin për hyrjen në politikë” – thuhet në raportin e ISP-së.
Ndërkohë, ISP shpjegon se ulja e aktivitetit parlamentar ka ardhur në rënie drastike sa u takon pjesëmarrjes në debat parlamentare.
“Sesioni i fundit parlamentar shënoi rekordin e rënies drastike të pjesëmarrjes së deputetëve në debatet parlamentare. Të dhëna të vazhdueshme të ISP-së dhe të medias dëshmuan raste të shumta kur edhe në debate të rëndësishme politike në Parlament nuk ndodheshin më shumë se 8-12 deputetë, shifra më e ulët historike në parlamentarizmin shqiptar. Në tërësi folësit nuk munguan dhe nuk hoqën dorë nga diskutimet, por auditori përpara tyre ishte kryesisht pa kolegë që dëgjonin.” – pohon ISP.