Në një intervistë për mediat kosovare, pas takimit që pati me liderët e partive opozitare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar këtë të martë se fushata për konvertimin e targave ilegale në ato RKS, do të nisë nga 1 shtatori dhe do të vazhdojë deri më 31 tetor.
“Fushata për targat do të vazhdojë dhe qytetarët ta shfrytëzojnë periudhën për konvertimin e targave” – u shpreh Kurti.
Ai gjithashtu foli edhe për takimin që pati me liderët opozitarë, ku tha se i ka informuar për çdo gjë relevante që ka pasur.
“Është gatishmëri dhe interes i imi që t’i informoj për dialogun edhe partitë të cilat nuk janë në qeveri. Në Kuvendin e Kosovës tash kemi një pauzë dhe kjo është arsyeja që konsideruam që është e një rëndësie të veçantë që ta zhvillojmë këtë takim. Unë besoj që informacion që është i rëndësishëm nuk ka që është mbajtur prej nesh. Gjithçka që është relevante e kemi ndarë me ta. Nëse kanë pasur informacione tjera relevante që ua kanë dhënë ndërmjetësit, atëherë ata duhet të tregojnë se cilat janë ato informacione” – ka përfunduar Kurti.