Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar për marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe Serbisë. Në një postim në facebook, Alibeaj thekson rëndësinë që pati qëndrimi matur i qeverisë së Kosovës pas situatës së tensionuar që u krijua në Veri prej zbatimit të reciprocitetit në mbërritjen deri në firmosjen e kësaj marrëveshje.
“Marrëveshja e sotme mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e reciprocitetit duhet përshëndetur dhe shpresojmë të ketë rezultate pozitive për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe stabilitetin e rajonit. Meritë për këtë kanë dhe drejtuesit e shtetit dhe qeverisë së Kosovës që falë këmbënguljes dhe përpjekjeve arritën në këtë marrëveshje të rëndësishme me Serbinë. Ata treguan qetësi e maturi në një kohë tensioni e gjaknxehtësie në Ballkan. Një falënderim të veçantë për BE dhe SHBA që me përpjekjet e tyre afruan Kosovën e Serbinë në këtë marrëveshje të rëndësishme” – shkruan Alibeaj në Facebook.