Në një deklaratë për mediat nga selia blu, shefi i Organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e sotme tragjike në Himarë ku humbi jetën një 7-vjeçare. Balliu deklaroi se policia e klasifikoi ngjarjen si një aksident, ndërkohë që ajo nuk është asgjë më pak se sa një vrasje. Balliu thekson se tragjedia është një atentat i dyfishtë, pasi një person i paguar dhe graduar për të mbrojtur jetën e qytetarëve, e merr atë.
“Një fëmijë 7 vjeçare ka humbur jetën në një plazh të Himarës para disa orësh.
Njoftimi i komunikatës së Policisë e klasifikon si aksident. Një skaf që drejtohej nga Arjan Tase, shef komisariati në Elbasan, e ka goditur duke i marrë jetën një vajze të vogël që po pushonte me prindërit. Policia mund ta klasifikojë si të dojë, por rasti nuk është asgjë më pak se vrasje. Është një atentat i dyfishtë, për faktin se një njeri i paguar dhe graduar për të mbrojtur jetën e qytetarëve, e merr atë. Shefi i Komisariatit të Elbasanit Arjan Tase është përjashtuar nga radhët e Policisë nga drejtori i Përgjithshëm Nano, ndërkohë që kjo duhet të kishte ndodhur kohë më parë. Tase, sipas raportimeve meditaike, është arrestuar 2 vjet më parë, kur ishte shef i Policisë së Himarës, për bashkëpunim me trafikantët e drogës. Ky është rasti i dytë në pak ditë, që një mjet lundrues, del nga deti dhe godet pushuesit. Kjo nuk është shenjë e pakujdesisë, por e sigurisë publike të lënë në duar trafikantësh. Ata që lejojnë trafikun e drogës mund të lejojnë, pa i vrarë ndërgjegjja edhe skafistët e papërgjegjshëm, dhe madje të jenë vetë në timon të mjeteve lundruese që vrasin njerëz. I shprehim ngushëllimet më të ndjera familjes Avdia që ka humbur dritën e syve. Shqiptarëve u kërkojmë të shohin në sy të vërtetën e një shteti pupac, që del nga toka dhe deti, jo për t’i mbrojtur, por për t’i dëmtuar. Kur të rrezikshmit e drejtojnë, Shqipëria është në rrezik!” – është shprehur Balliu.