Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula u paraqit pak kohë më parë në një seancë të Kuvendit me një shportë ushqimesh të produkteve bazë për t’i treguar qeverisë realitetin e qytetarëve shqiptarë, që nuk arrijnë të përballojnë çmimet e larta. Pasi bëri publike faturën prej 30 mijë lekësh të vjetra për produktet që mund t’i mjaftojnë një familje me 4 anëtarë për jo më shumë se 3 ditë, Sula gjatë një udhëtimi në Itali ka bërë të njëjtin pazar atje dhe në Kroaci, ku në të dy rastet ka mbetur i habitur nga çmimet, për të cilat thotë se i priste më të larta në dy vende anëtare të Bashkimit Europian. Kjo, jo për faktin se janë të larta, por sepse fatura për produkte të ngjashme në Italinë përtej Adriatikut është e njëjtë me Shqipërinë, e cila ka një nivel shumë herë më të ulët jetese sesa unioni.
Ndërsa, Kroacia është vendi që e ka surprizuar vërtetë, pasi të njëjtat produkte bazë kanë kushtuar sa gjysma e shumës së shpenzuar në një supermarket në Tiranë.
“Shqipëria dy herë më e shtrenjtë se BE. Rreth një muaj më parë shkova në seancën plenare me një shportë me produktet bazë të ushqimeve. Shporta përmbante:
1 Bukë
1 litër vaj
1 kg miell
1 kg Sheqer
1 kg djath te bardhe
1 shishe qumësht
1 shishe kos
1 kg oriz
1 pako makarona
10 kokrra vezë.
Fatura e këtyre produkteve të blera në një nga supermarketet e nivelit te mesëm dhe të ulet shkoi 30 mijë lekë të vjetër. Ndërkohë produktet për një familje mesatare me 4 persona nuk mund të mjaftojnë për më shumë se 3 ditë. Pra 10 mijë lekë të vjetër në ditë. Sigurisht e papërballueshme. Bëhet fjalë vetëm për produktet jetike. Të dashur qytetar, unë s’dua të marr flamurin e sulmit ndaj kësaj qeverie vetëm për politikë. Ndaj vendosa që të përball çmimet e Shqipërisë me ato të vendeve të BE-së. Këto ditë pata një udhëtim përmes rrugës tokësore për në Itali. Ndaj vendosa të bëja dy shporta me të njëjtat produkte që bëra para një muaj në Shqipëri. Kur u futa ne supermarket po mendoja se çmimet do te ishin më të shtrenjta por do merrja referencë pagat mesatare të vendeve përkatëse. Por u zhgënjeva. Të njëjta produkte në Kroaci kushtuan gjysmën e çmimit në Shqipëri. Të dashur qytetar, të njëjta produkte kushtuan sa gjysma e asaj që pagova në Shqipëri. Ndërkohë që duhet të dimë që Kroacia ka vite që është anëtare e BE-së dhe ka një super turizëm. U zhgënjeva edhe me Italinë. Si një nga vendet më të zhvilluara të BE mendova se do fatura me të njëjtat produkte do shkonte minimalisht me 50-60 më shumë se në Shqipëri. Por jo. Kushtoi fiks sa në Shqipëri. Ndërkohë që diferencat ekonomike mes Shqipërisë dhe Italisë është super dalluese. Sa është paga e një mjeku në Shqipëri, në Itali është pensioni i një të moshuari. Besoj dallohet diferenca. Ekonomia e familjeve shqiptare po tkurret çdo ditë e më shumë ndërkohë që buxheti i shtetit po zgjerohet. Por këto para nuk u kthehen qytetarëve me investime apo subvencione për më të pamundurit. Paratë po shkojnë tek klientët e qeverisë. Te oligarkët që njësoj si buxheti i qeverisë, po fryjnë portofolët e tyre. Nga muaj korrik, pensionistët dhe familjet në nevojë nuk marrin më as atë lëmoshin 3 mijë lekë që iu hodh si “kockë” nga qeveria. Vjeshta ka për të qenë një terr ekonomik ndaj qeveria duhet të lerë për një moment klientët e duhet të kthejë vëmendjen tek qytetarët!” – shkruan Sula në facebook.