Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur rreth një takimi të mundshëm brenda muajit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Bruksel.
Vuçiç ka mohuar se ka një axhendë të përcaktuar në lidhje me kvtë takim, madje ai ka akuzuar Kurtin se po i shmanget dialogut dhe marrëveshjeve dypalëshe.
“Nuk është e vërtetë, as që më ka pyetur askush. Unë nuk ik nga asnjë takim, kryesisht ai ka ikur nga takimet, unë nuk ik nga takimet”.
Në fillim të muajit i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak u shpreh se brenda muajit korrik do të zhvillohet një takim mes Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel. Ndërkohë dy ditë më parë këtë lajm e konfirmoi edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
“Ky është një proces që po vazhdon dhe vazhdon në nivel të shefave të delegacioneve, por besoj që gjatë korrikut, por kjo varet nga ana e ndërmjetësuesve, do të ketë edhe një takim mes liderëve”, deklaroi Osmani në Slloveni gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin slloven.