Ish-kryetari i Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe doli ditën e sotme para gjykatës, rreth një vit pasi u arrestua. Mësohet se Tushe hodhi poshtë të gjitha akuzat e Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke thënë se nuk ka bërë shkelje në tendera dhe se ishte detyra e tij të kujdesej për banorët e zonës dhe në këtë mënyrë ka kërkuar pafajësinë. Ndërsa nga ana tjetër, SPAK ka kërkuar dënim me 5 vite burg për ish kryetarin e Bashkisë, ndërsa ky i fundit ka kërkuar pafajësi.
Avokati i Tushes ka bërë me dije lidhjen e ish-kryebashkiakut me shtetasin Ibrahim Lami, me të cilin sipas tij kishte kontakte prej të ndjerit ish-deputetit Bashkim Fino. Ibrahim Lami dyshohet se është biznesmeni, kompania e të cilit përfitoi tenderin nga Bashkia e Lushnjës, por avokati i Tushes ka bërë me dije se diçka e tillë nuk është e vërtetë.
Po ashtu, avokati mbrojtës i ish-kryebashkiakut Tushe me Lamin janë takuar në mënyrë që ky i fundit t’i përcillte Bashkim Finos vonesat që do të bëheshin në rehabilitimin e kanalit ujitës. Ky takim mes tyre u bë pasi Tushe nuk kishte kontakt me Finon dhe ish-deputeti ishte në gjendje të rëndë atë kohë.
“Pavarësisht pretendimit të organit të akuzës, kjo bisedë është bërë në kontekst tjetër ku i mbrojturi prej meje për shkak se nuk kishte komunikim tel me deputetin e zonës Bashkim Fino për shkak të gjendjes shëndetësore të tij, i ka shprehur shtetasit Ibrahim Lami për shkak se takoj fizikisht me të ndjerin dhe t’ia transmetonte atij këtë fakt për vonesat që po bëheshin në këtë rehabilitim të kanalit ujitës… Pasi ka qenë deputeti i zonës Z.Fino i cili ishte i interesuar për përfundimin sa më të shpejtë të këtij rehabilitimi për shkak se kishte shumë pakënaqësi nga banorët e zonës dhe ky ka qenë dhe interesimi për një përfundim sa më të shpejtë të këtij projekti dhe të gjitha bisedat janë në kontekst të zgjidhjes sa më të shpejtë të situatës së krijuar dhe pakënaqësisë së banorëve”-u shpreh avokati i Tushes.
Tushe u arrestua dhe u shkarkua nga detyra më 6 korrik. Por Tushe ankimoi vendimin e marrë në Gjykatë Kushtetuese, pasi vijon ta konsiderojë vetën të pafajshëm. Përveç rastit të abuzimit me tenderin, Tushe ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti dhe një gazetari të njohur në Tiranë, si edhe ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll.