Javën e ardhshme do të ketë vendim qeveritar, për çështjen e targave me Serbinë. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shprehur se pala serbe në takimin e fundit ku ishte diskutuar për çështjen e targave ishte treguar jokonstruktive, dhe se sipas tij, kjo i ka dhënë hapësirë Qeverisë së Kosovës, ta paraqes planin e saj për një marrëveshje të re për çështjen e targave.
Bislimi ka thënë, se po punojnë që t’i rregullojnë problemet që sipas tij janë krijuar që 20 vite.
“Javën e ardhshme, del plani jonë për targa, në kuadër të planit tonë që del në javën tjetër, trajtohet edhe çështja e tabelave KM, po me pritë që ne me një ndërprerës elektrik e trajtojmë një problem që ka ekzistu që 20 vite, mendoj që është pritje përtej aktivistit, nuk është mirë të fshehen prapa aktivistëve, lëreni neve brengat për aktivistat” – ka thënë Bislimi.
Për marrëveshjen për energji për faturimin dhe inkasimin e katër komunave të Mitrovicës Veriore, ka thënë se ka mundur të anulohet ajo marrëveshje, por që sipas tij do të ishte edhe më e dëmshme.
“Ka mund të jetë opsion i anulimit të marrëveshjes, por pastaj ju do të thonit se nuk keni guxim të bëni marrëveshje, na kishit dërgu në Gjykatë Kushtetuese që po paguajmë për veriun” – ka thënë ai.