Tentoi t’i shpëtonte burgut, e përfundoi duke vdekur në një aksident. Ky është fati tragjik i shqiptarit Redon Abazit, 26- vjeç i cili nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar në 7 qershor, në Boshtin Median, në kryqëzimin Gricignano d’Aversa. Miku i tij, Behar Roshi i cili ishte në mjet me Abazin mundi të mbijetonte mirëpo u largua nga vendi i ngjarjes, raportojnë mediat italiane.
Roshi tentoi të arratisej në këmbë por u kap nga karabinierët. Në momentin e arrestimit, ai dyshohet se sulmoi policët, duke u shkaktuar atyre lëndime të shumta.
Gjyqtari Raffaele Coppola urdhëroi masën e arrestit me burg për shqiptarin e mbijetuar nga aksidenti. Gjatë seancës, Roshit iu dha edhe një urdhër burg 4 vjet e 2 muaj për dënime të vjetra për rezistencë ndaj një zyrtari publik dhe shkelje të rregullave të emigracionit. Gjatë marrjes në pyetje Roshi, i ndihmuar nga avokati Fabio Della Corte, bëri të qartë se nuk drejtonte automjetin, por nuk tha asgjë për arsyet e arratisjes.
Ngjarja ka ndodhur të martën më 7 qershor. Roshi dhe Abazi po udhëtonin përgjatë Boshtit të Mesëm kur u kapën nga karabinierët të cilët i urdhëruan të ndalonin. Ata nuk u ndalën, duke nisur një arratisje të çmendur që përfundoi në kryqëzimin për Gricignano.