Nga Luljeta Progni
Në dhjetor të vitit 1990, u rrëzua sistemi komunist. Ishte ndër ngjarjet më të rëndësishme për Shqipërinë në shekullin që lamë pas. Në këto zhvillime luajtën një rol shumë të rëndësishëm vendet perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë e kujtojnë rolin e ambasadorit amerikan Uilliam Rajerson në ato momente të rëndësishme. Rajerson mbështeti hapur Partinë Demokratike që nga themelimi i saj deri në momentin përfundimtar të fitores së 22 marsit 1992. Ishin dy vite me shumë ngjarje e zhvillime, shumica e të cilave u përcollën për publikun kryesisht nga mediat e huaja, ndërsa më vonë studiues dhe gazetarë i kanë pasqyruar nëpërmjet dokumentarëve, librave dhe shkrimeve dosier.
Por, shumë ngjarje kanë mbetur pa u zbardhur, pa arritur të kuptojmë si u krijuan dhe si rrodhën më pas. Ishin ngjarje të paramenduara, të servirura, të vërteta, të sajuara, të pashmangshme…? Një prej zhvillimeve që ende mbetet enigmatik, padyshim është mënyra se si u krijua elita politike e kohës.
Të gjithë ata që kanë dëgjuar edicionet informative në atë kohë, e mbajnë mend mirë parrullën që përsëritej disa herë në ditë, nga të gjithë politikanët e kohës, qoftë të djathtë, qoftë të majtë: “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Ishte një sllogan që ia fali të gjitha krimet e 50 viteve të fundit atyre që drejtuan dhe mbështetën diktaturën më të egër në të gjithë vendet e ish-kampit socialist. Ishin tre fjalë, që tentuan t’i venë kapak historisë dhe të pastronin pa e vënë në dyshim biografinë e PPSH-së.
Pas pranimit të këtij sllogani nga opozita demokrate dhe ndërkomëtarët, PPSH doli në skenën politike me emrin e ri Partia Socialiste e Shqipërisë, duke pretenduar se nuk kishte më asgjë që ta lidhte me ata që sunduan me gjak popullin shqiptar nën diktaturë.
Për të përfunduar operacionin e saj plastik, PPSH rikonfiguroi strukturat e saj, duke zëvendësuar byronë e plakur të PPSH-së me komunistë e ish-komunistë të devotshëm, bij dhe etër komunistësh që për vite me rradhë kishin ëndërruar të ngjiteshin një shkallë më lart. Gjithçka që ndihmoi për ta zhveshur nga kompleksi i krimit, ishte sllogani i thjeshtë me tre fjalë: “bashkëvuajtës e bashkëfajtorë”.
Çuditërisht sllogani u artikulua për herë të parë nga lideri i PD-së të asaj kohe, Sali Berisha. Në të njëjtën kohë që PPSH po kryente operacionin plastik, në PD-në e sapo krijuar, u grumbulluan gjithashtu komunistë e ish-komunistë, ish-funksionarë të rangjeve të ndryshme të larguar vetëm disa muaj më parë nga shërbimi që i kishin bërë diktaturës për kohë të gjata. Dhe për ta plotësuar spektrin, u ofruan edhe shtresat që kishin vuajtur në kohën e diktaturës, ish-të përndjekur e ish-pronarë.
Por, aktorët e ofruar nuk mund të zgjidhnin rolet e tyre, ata u vendosën në role nga Berisha dhe për fat të keq, veçse ndihmuan në konsolidimin e pushtetit autoritarist të tij, gjë që do të reflektohej në të gjithë politikën shqiptare, madje edhe për shumë vjet më vonë. Të ndodhur në të njëjtën parti, grupe që përfaqësonin interesa të ndryshme nga e kaluara e tyre, nuk patën mundësi të konfliktohen mes tyre, pasi shumë shpejt do të përjetonin të njëjtin fat: përjashtimin.
Ajo çfarë prodhuan zhvillimet e para politike të viteve ’90 ishin veçse vazhdimësi e elitës politike komuniste nën një sistem të ri, atë pluralist. Por, demokracia e standardeve perëndimore nuk mund të vinte kurrë dhe deri më sot përpiqemi t’i etiketojmë lloj-lloj emërtimi: demokraci hibride, demokraci e brishtë, tranzicion e të tjera, e të tjera. A kishte një mënyrë ndryshe qysh në zanafillë, që të mund të kishim ndërtuar këto 25 vite një demokraci të përafërt me atë perëndimoren?
Ndoshta po. Ndoshta jo. Ndoshta ishte e pamundur të hidheshin themelet e forta të një sistemi demokratik në atë gjendje që kishte arritur shoqëria shqiptare. Ndoshta nuk mjaftonte vetëm të ishe anti-komunist. Nuk mjafonin demonstratat dhe guximi i qytetarëve shkodranë, kavajas, tiranas. Nuk mjaftonte thjesht hapja e dyerve të burgut për të burgosurit politikë. Ishte një kohë që nuk na mjaftonte as buka…
45 vjet diktaturë shkatërruan çdo qelizë të lirisë në këtë vend dhe elita intelektuale e kohës ishte e indoktrinuar. Ndërkombëtarët, të cilët luajtën një rol specifik në ato zhvillime të para dhe në vitet më pas, u përballën me fakte që nuk lejonin një zgjidhje afatshkurtër. Krijimi i një elite të re politike në Shqipëri sigurisht që kërkonte kohë.
Në këto kushte, pa dashur të aludojmë nëse kishte një marrëveshje të përfolur mes SHBA dhe Gorbaçovit për të ardhmen e kampit të rënuar socialist, dhjetori i vitit 1990 në Shqipëri ishte de facto amnistia e gjithëpranuar për krimet e komunizimit dhe më keq akoma vazhdimësia e elitës politike komuniste, që është ende elita e sotme politike e rinovuar veçse në moshë, e jo në mënyrën e funksionimit. Është po ai produkt, me ndryshimin e vetëm që nuk janë më etërit, por bijtë e tyre. Është kjo elitë, e cila e pozicionoi Shqipërinë si një ndër vendet më të korruptuar në botë e sigurisht, vendin më të varfër në Europë. Është kjo elitë politike që ka prodhuar sistemin e drejtësisë më të korruptuar, i lidhur nëpërmjet krimit të organizuar me atë të politikës.
Sot, pas 26 vitesh, ka një rikthim të rolit të SHBA-ve të ngjashëm me atë të dhjetorit ‘90. Ambasadori amerikan Donald Lu, është aktiv në zhvillimet politike të Shqipërisë gjatë këtij viti, i vendosur për t’i shkuar deri në fund reformës në drejtësi. Ka lënë mënjanë gjuhën dilomatike dhe i është përveshur pa asnjë rezervë betejës për të miratuar një reformë në drejtësi që supozohet të pastrojë nga rrënjët sistemin e drejtësisë, i cili nëse ndodh, me patjetër do të sillte edhe pastrimin e sistemit politik. Pikërisht, në këtë pikë qëndron frika e politikës, e cila ka bërë e po bën përpjekje për ta zvarritur sa më shumë këtë proces. Por, me sa duket tani është fundi. SHBA-të duket se nuk do të tërhiqen nga kjo betejë, edhe pse bie në sy mungesa e një aleati të madh të humbur shumë vite më parë. Studentët e dhjetorit dhe të gjithë ata që protestuan shesh më shesh e qytet më qytet kundër diktaturës, sot mund të jenë emigrantë anembanë botës.
Shpirti i protestës dhe besimi se ky vend mund të bëhet janë zbehur. Por, kjo nuk mund të jetë fitorja e këtij sistemi shkatërrues për mbarë kombin shqiptar, nuk mund të përfundojë kështu. Le të shpresojmë se këtë herë nuk do të artikulohet ndonjë sllogan i ngjashëm me atë të dhjetorit ’90 “bashkëvuajtës e bashkëfajtorë”. Klasa politike shqiptare e humbi rastin për t’u vetëpastruar dhe e keqpërdori amnistinë.