Jorida Tabaku, ka reaguar në cilësinë e kryetares së Këshillit Kombëtar të Integrimit në lidhje me me takimin e mbajtur ditën e sotme, ku në këshill ishin të ftuar ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, Prokurori Përgjithshëm Olsian Çela dhe kreu i SPAK Arben Kraja.
“Të ftuar sot në Këshilin Kombëtar të Integrimit Europian ishin ministri Manja, Prokurori Përgjithshëm Çela dhe kreu SPAK Kraja. Lufta kundër korrupsionit është një nga kushtet e rëndësishme të vendosura nga Bashkimi Europian dhe që në të vërtetë i shërbejnë dhe Shqipërisë dhe shoqërisë. Megjithë problemet akute që ka vendi ynë sërishmi krimi zgjedhor dhe personat e përfshirë në të në nivele të larta mbeten të padënuar” – u shpreh Tabaku.
Tabaku thekson se nuk ka asnjë informacion në lidhje me 12 çështje e krimeve zgjedhore të cilat janë referuar nga Prokuroritë tek SPAK. Si dhe shton se pastrimi i parave dhe korrupsioni janë disa nga problematikat kyç në vend dhe sfida për drejtësinë.
“12 çështje zgjedhore janë referuar nga Prokuroritë tek SPAK në lidhje me krimet zgjedhore dhe ne duhet të kemi informacion në lidhje me to. Shqipëria vazhdon të jetë në listën gri të MoneyVal dhe është një vend i rrezikshëm ku pastrohen paratë. Korrupsioni është kthyer në sistem dhe ka krimbur institucionet shtetërore aq sa tani jemi vendi më i korruptuar në Europë. 18% e pastrimit të parave ndodh nga paratë e korruspionit në vendin tonë. 16% e pastrimit të parave ndodh nga paratë e drogës dhe që më tej kalojnë në ndërtime e jo vetëm. Strategjia e qeverisë shqiptare me planin e integritetit nuk funksionin, pasi faktet flasin se korrupsioni bëhet me ligj, me kostum dhe z. Manja ka një konflikt interesi. 7 nga 9 ligjet me porosi të votuara në kuvendin e Shqipërisë janë shkruar dhe votuar nga mazhoranca socialiste në pushtet. Shqipëria sot rrezikohet nga humbja e luftës kundër korrupsionit, nga shkatërrimi i vlerave morale që mbajnë një demokraci dhe një shtet ligjor. Duhet të kërkojmë llogari përpara institucioneve përkatëse” – tha Tabaku.