Në dorëzimin e 74 banesave të rindërtimit në Ndroq, Kryeministri Edi Rama ka akuzuar sërish ditën e sotme SPAK-un, për hetimin që ka nisur për rindërtimin e shkollës “Sami Frashëri”. Hapja e dosjes për shkollën në Tiranë për shkeljet në shembje dhe në realizimin e punimeve, Rama e ka konsideruar njësoj si kryebashkiaku Veliaj ku sipas tij bëhet për një ËC. Pakënaqësia e kryeministrit Edi Rama nuk është vetëm për hetimin e incineratorëve dhe mungesën e reagimit pas akuzave që PS ka ngritur për Ilir Metën dhe Sali Berishën. Edhe pse nuk e ka përmendur, rasti ka të bëjë me shkollën “Sami Frashëri” për të cilën deputetja Jorida Tabaku ka akuzuar se u shemb pa një plan ndërtimi dhe nuk u mor një leje ndërtimi për ta ndërtuar atë.
“Ti merr përsipër të rindërtosh shkollën simbol të arsimit Tiranë që u godit rëndë për ta bërë simbol, ta marrin peng se të çojnë në SPAK për një ËC. Duhet të presësh që të bëhet hetimi e gjykimi. Ky proces ka ecur paralel me një proces të tërë falsifikimesh, ankimimesh, të gjykatësve që janë të krimbur nga koka në këmbë dhe e dinë që kanë shans ta kalojnë vetingun e kapin ça të kapin. Prandaj është e vonuar por ne nuk i ndahemi derisa familja e fundit të marrë shtëpinë. Në Tiranë, Durrës ku kanë qenë problemet më të mëdha me gjykatës e mashtruesa” -tha Rama.
Ai gjithashtu ka pranuar se edhe në zonën e Kombinatit ka problem me drejtësinë. E njëjta situatë është dhe në Laç, ku Rama fajëson gjykatat.
“Siç ndodh me Kombinatin, çështje të panumërta të hapura në gjykata me pretendime nga më absurde për të marrë copën më të madhe sesa copa që ju takon. Me gjykata e prokurorë që mbajnë peng komunitete të tëra pa pikën e turpit, siç njëri ka marrë peng vazhdimin e punës për të ndërtuar apartamentet e mbetura në Laç për një person” – u shpreh Rama.
Në përfundimin e punimeve në Ndroq, Rama thumboi edhe Veliajn për propagandën e shtuar në medie.