Presidenti i vendit, Ilir Meta, i ka bërë thirrje qeverisë që të shtojë investimet për industrinë e naftës dhe gazit. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai shprehet se duhet të nisin sa më parë investime moderne për këtë sektor jetik për vendin dhe të ardhmen e ekonomisë. Sipas Metës, Shqipëria i ka të gjitha kushtet që përmes këtyre resurseve të zhvillojë në ritme të shpejta ekonominë. Ai thekson se në asnjë mënyrë nuk duhet të lëmë që të shkojë dëm investimi që është dhënë në këtë sektor përgjatë viteve ’80.
“Shqipëria është një nga vendet me burime natyrore më të mëdha në Europë, sidomos në rezervat e naftës dhe gazit, një pasuri që duhet të kthehej në mirëqenie për vendin dhe për çdo qytetar. Në kontekstin e zhvillimeve të fundit është me shumë rëndësi që industria e naftës dhe e gazit të marrë mbështetjen që meriton, nëpërmjet investimeve moderne, që garantojnë jo vetëm furnizimin por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare.
Ndaj dhe me mirënjohje për kontributin e çmuar të dhënë për revolucionarizimin e industrisë së naftës në vendin tonë, veçanërisht në vitet ’80, por edhe tani në pension si ekspert i konfirmuar, për të gjithë veprimtarinë e pasur shkencore, si dhe për përkushtimin e treguar për formimin e brezave të inxhinierëve të rinj vlerësova sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” një personalitet të shquar të shkencës shqiptare dhe të industrisë së naftës, Prof.Dr. Fatmir Shehu. Zhvillimi, modernizimi dhe mbështetja e industrisë së naftës dhe gazit është interes kombëtar strategjik. Ndaj mbështetur mbi trashëgiminë dhe eksperiencën e personaliteteve si Prof.Dr. Fatmir Shehu të shumëfishojmë përpjekjet për t’i dhënë prioritet këtij sektori jetik për vendin”, shkruan ai. Ndërsa shprehet se në këtë mënyrë ne mund të zgjidhim problemin e çmimeve të larta të naftës dhe gazit që kanë pushtuar vendin muajt e fundit.