Mediat sllovene e kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni ka shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Gjithashtu është raportuar se mbi gjysmë milion eurosh, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj. Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj.
Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj. Një pjesë e dokumenteve të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro” – raportojnë mediat sllovene.
Gazeta Nacionale gjatë gjithë kohës ka provuar që ta kontaktojë z. Berishaj për ta marrë një prononcim edhe nga ai, por ambasadori ka qenë i pa qasshëm, megjithëse në një moment i ka lexuar pyetjet, por ka zgjedhur të mos përgjigjet.
Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook’ut.
“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit”.
Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.
Kush ishte mushka që e bëri këtë, pyet televizioni slloven?
“Pronari i MP Consulting dhe i punësuari i vetëm i kësaj kompanie është Martin Berishaj. Ai u ka thënë autoriteteve tatimore në Mal të Zi që arsyeja përse i ka tërhequr parat kesh kishte të bënte me një marrëveshje që ai e kishte me kompaninë e tij”, thotë media sllovene, duke treguar që Berishaj i ka tërhequr rreth 200 mijë euro nga llogaria personale dhe rreth 320 mijë të tjera i ka tërhequr si profit nga llogaria e biznesit.
Burimi i ka treguar televizionit Planet që parat që z. Berishaj ia ka dërguar politikanit slloven, ky i fundit i ka investuar në një fond italian. Berishaj njihet si mik shumë i afërt i kryeministrit Kurti. Ai ka qenë ndër të parët që kishte shkuar për të festuar në selinë e LVV’së, pas fitores në zgjedhjet e vitit të kaluar. Një raport i tillë i ishte shpërblyer pa humbur kohë, duke e emëruar ambasador të Kosovës në Kroaci.