Më falni, çfarë të bëja më thua ti?
Ah të gjeja një të fortë, një të madh…P.sh një politikan apo pushtetar edhe të mbrohesha nga ai?
Ndërsa unë për turp ta përqafonja? Të varesha pas tij dhe si kacavjerrsa trungut që i lutet atë ta lëpija e kështu tu lartësoja jo më fuqitë e mia?
Jo o tungjatjeta!!!
Apo të bëj siç bën çdo horr, çdo legen. Për të mëdhenjtë bejte, të shndërrohesha në gaztor pa turp por me shpresë se mbase po i qesh nga simpatia ndonjë ministri buza për marrëzitë e mia?
Jo or tungjatjeta!!!
Të përulem, të telendisem dhe për një kothere buke si bolla të zvarrisem?
E duke shkarë të ndotem gjunjë e lëkurë dhe nga përulja shpina të më krruset e të bëhem urë?
Jo or mik, tungjatjeta!!!
Oh më mirë të këndosh, të ëndërrosh e të qeshësh i vetmuar por i lirë…
Të vështrosh sypetrit edhe tja thuash me drithëtirë dhe festën, festën të ma vesh mbi sy si ta ka ënda.
Për një po, apo për një jo të luftosh apo të të shkasë penda.
E të punosh pa gajde për pasuri, për lavdi, mor sikur dhe në hënë të të ngjisin, të mbetesh njeri.
Dhe të mos shkruash edhe të mos thuash gjësendi që zemra sta thotë, porse diçka që vetes ti thuash gojëplotë kënaqu miku im…
Se çdo pemë apo frut që mblodhe sti dhanë sadaka, në kopshtin tënd i mbolle.
E në të dhëntë rasti të fitosh ndonjë çmim kult apo arit të mos kesh pse të thuash në sajë të Çezarit, por vetëm vetes tënde tja njohësh për meritë.
E kështu dukë i përbuzur të gjitha bimët parazite, ndonëse nuk do të rritesh vigan si plep me fletë, nuk ka gjë, mjaft paksa të rritësh por di që je ngritur vetë.
Si më falni? Ç’më ka zënë ky vesi i marrëzisë që dua ti bëj të gjithë armiq?
Më detyroni ju. Po po ju që i zini të gjithë miq.
Dhe u qeshni plot nur e gjithë gaz, me buzët rrudha -rrudha siç kanë pulat pas.
Ndërsa unë miqësinë e sëmurë apo miqësinë mediokre dua ta rralloj dhe them me gaz në zemër –Ja dhë një armik që shtoj.
Ja ky është zakoni im. Dua tju neveritem intrigantëve, atëherë ndjej gëzim.
Oh si më bëhet zemra ta dish të vërtetën mik, kur shikoj që më sulmojnë me ato vështrimet fikse atëherë tu bësh sehirin.
Kur nxjerrin vrer selie, pështymë e jargë nga goja këto kërma fëllishtërsie.
Miqësia e sëmurë që juve ju ka rrethuar, më përngjan me ato kollarot ngrirë-praruar të Italisë ku qafa të rri si qafë pate.
Jo sigurisht që kështu ju vjen mirë miqve, zotërisë tate se balli pa karakter dhe moral që ta pengojë, lehtë-lehtë nga çdo anë mund të anojë.
Ndërsa mua që dinjiteti më shtyp kuptohet qartë me thumb më shpon, që kryet t’i mbaj gjithnjë lart.
Një armik më shumë është një gjemb i ri vërtet, më nxjerr telashe por më shton edhe një stoli.
Sepse siç ishin qaforet që mbanin burrat spanjollë, dinjiteti është një hallkë por edhe një aureolë…
* Ky shkrim është botuar më 15 maj 2016