Në një intervistë për mediat, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka deklaruar pasditen e sotme se nuk do të kandidojë për një mandat tjetër në krye të LSI. Kryemadhi tha se është ngritur një strukturë e re që po punon për të hartuar disa politika të reja.
“E para, Monika Kryemadhi nuk ka ndërmend të kandidojë për një mandat tjetër. E dyta, është konventa që është në proces përgatitjeje pasi për shkak të pandemisë konventa u shty dhe kemi funksionuar me shtabet politike elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit. Dhe ndërkohë, janë disa grupe pune që vazhdojnë të punojnë dhe sot. Është ngritur një strukturë e re që quhet GEN, Gjenerata e Re e cila po punon për hartimin e disa politikave të reja që ne duan t’i implementojmë” – tha Kryemadhi.
Ajo gjithashtu tha se do të vazhdojë të jetë aktive në politikë duke u marrë me pjesën e organizimit.
“Unë do të kem pozicionet e mia. Do të kem angazhimin tim. Do jem aktive në politikë. Ndoshta jo aktive në takimet diplomatike por do të jem aty ku unë jap më të mirë në rrugët e organizimit. Ndoshta do të jetë një rrugë e gjatë që na e zgjati Lulzim Basha të gjithëve. Tani na duhet të gjithë shqiptarëve të besojmë njëri tjetrin sepse jemi përballur me pabesinë e zotit Basha. Basha u bë keq kur ne dërguam dy amendamente pa e pyetur. Zoti Meta kishte të drejtë por përsëri ka qenë kundër largimit nga institucionet. E dinte efektin e kësaj gjëje. Unë mund të them se kishte një gjë të mirë. Vërtetë e tkurri në votë LSI-në duke e çuar në vrasje totale por krijoi një element të rëndësishëm dhe një strukturë të brishtë dhe të pastër” – u shpreh Kryemadhi.