Kryeministri Edi Rama shprehet se asnjë vend përveç SHBA-së nuk kishte informacion se Rusia dhe Vladimir Putin po planifikonte një sulm frontal ndaj Ukrainës. Në një intervistë për emisionin Opinion, Rama zbulon dhe një takim që ka pasur me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov disa vite më parë.
“Jam takuar me të, kemi pasur bisedë të gjatë, dhe jo vetëm në atë bisedë, ka qenë e qartë se Rusia ka pasur një pezmatim të madh në raport me Ukrainën. Sjelljen e perëndimit, marrëveshjen e Minksut. Një sërë pretendimesh të paadresuara nga Perëndimi, të panegociueshme në raport me ata vetë. Nuk mund të them kurrë që e ndjeva këtë që erdhi. Përveç shërbimit inteligjent amerikan, askush tjetër nuk kishte realisht bindjen që Vladimir Putin do të tentonte një agresion frontal dhe pushtim të Ukrainës” – tha Rama.
Rama deklaroi se Shqipëria gjendet në kulmin e politikës së saj të jashtme, për shkak të një pozicioni të jashtëzakonshëm në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Ka qenë një replikë e imja gjatë konferencës për shtyp që është vendosur në Twitterin e ambasadës amerikane. Ajo që mund të them lidhur me pyetjen që lidhet me Shqipërinë, vendi ynë gjendet në kulmin e politikës së vetë të jashtme për shkak të një pozicioni të jashtëzakonshëm në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Shqipëria gjendet në një pozicion të jashtëzakonshëm. SHBA ka kërkuar nga Shqipëria të bëhet bashkëpenëmbajtëse e dosjes së Ukrainës” – tha Rama.