Nga Luljeta Progni
Kanë mbetur vetëm tre javë nga dita kur klasa politike shqiptare do të jetë në provën më të rëndësishme të këtyre 25 viteve. Më 21 korrik, të gjithë, opinioni vendas dhe faktori ndërkombëtar, i kanë sytë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, atje ku pritet të votohet reforma në drejtësi.
Debati për reformën në drejtësi ka nisur rreth dy vite më parë dhe publikisht të gjitha palët janë shprehur të gatshme për të votuar një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Debati u intensifikua gjashtë muajt e fundit, sidomos me përfshirjen direkte të ndërkombëtarëve, kryesisht ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu. Megjithëse ndërkombëtarët u përpoqën që reforma të miratohej me konsensus, nga zhvillimet e deritanishme, duket se mes shumicës dhe pakicës nuk do të ketë asnjë marrëveshje, ç’ka do të thotë, se kjo reformë nuk do të marrë të gjitha votat e Kuvendit, siç ndodh zakonisht me reforma të rëndësishme, jetike për vendin.
Janë disa deputetë që kanë deklaruar se nuk do të votojnë një reformë në drejtësi, e cila ka një pikë, që cënon sovranitetin e vendit. Është fjala për Misionin Ndërkombëtar të Monitorimit si pjesë e reformës në drejtësi. Ky në të vërtetë, është një institucion ekstrakushtetues, por me sa duket i domosdoshëm dhe e vetmja zgjidhje për të bërë ndryshimin thelbësorë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Sipas këtij neni që parashikon funksionimin e këtij institucioni të ri në Shqipëri, një grup ekspertësh ndërkombëtarë do të përcaktojnë kriteret bazë për pastërtinë e gjyqtarëve e prokurorëve që janë në sistem dhe të atyre që do të duan të bëhen pjesë e tij. Synohet që të zgjidhet një trupë gjyqtarësh e prokurorësh të pakorruptuar, të cilët do të mundësonin më pas hapjen e dosjeve të korrupsionit.
Në perceptimin publik, korrupsioni ka prekur çdo qelizë të shtetit dhe se shumica e elitës politike është pjesë e këtij sistemi korruptiv. Nëse miratohet reforma në drejtësi, ky sistem ndjehet i rrezikuar dhe mund të sjellë rrjedhimisht rrëzimin e elitës. Preteksti për të mos lëshuar sovranitet duket më shumë si pjesë e rezistencës së elitës politike për t’i shpëtuar fshesës së reformës.
Por, le të sjellim në vëmëndje një interpretim të sovranitetit për sistemin demokratik sipas autorëve gjermanë, Waldemar Pessons dhe Gotthart Jasper:
“Sistemi demokratik, i njeh shtetit pushtetin e lartë si rezultat të vullnetit të të gjithë individëve pjesëmarrës në angazhimin e tyre për zgjidhjen e detyrave të përbashkëta. Në këtë kontekst, forma dhe përmbajtja e shtetit nuk i janë paracaktuar popullit si të tilla, por ato rrjedhin nga vetë ai. E tërë kompetenca e tyre mbi këto detyra, nga zgjidhja e të cilave janë të prekur të gjithë, quhet me fjalë të tjera sovranitet i popullit.
A e ka respektuar politika shqiptare këtë sovranitet?! Sigurisht që jo, sepse politika ka përdorur delegimin e pushtetit nga sovrani, pra nga populli, për t’u pasuruar e jo për të zgjidhur problemet e tij ashtu siç i kërkohet, pasi populli i ka deleguar të drejtën për ta qeverisur.
Në Shqipëri nuk plotësohen kriteret minimale për një sistem demokratik dhe nuk është çudi që pas zhbërjes së kritereve minimale për ndërtimin e një sistemi të tillë, të mos ketë ende zgjedhje të lira, të mbizotërojë varfëri ekstreme e papunësi. Sepse në Shqipëri shteti nuk të garanton sigurinë për jetën e pronën, sepse në këtë vend “shteti” ka zaptuar pronat e qytetarëve dhe po shkojnë 26 vjet e ato nuk janë kthyer. Atëherë, për cilin sovranitet shqetësohet kjo klasë politike? Sigurisht, vetëm për sovranitetin e pushtetit të tyre personal.
Është e vështirë të besojmë se kjo klasë politike është gati të lëshojë këtë pushtet. Sa vjen e duket më e qartë se ka një marrëveshje për të mos u marrë vesh për miratimin e një reforme të thellë në sistemin e drejtësisë, e cila do të ishte çelësi për zgjidhjen e të gjitha problematikave që e mbajnë Shqipërinë peng. Por kjo marrëveshje “për të mos u marrë vesh”, do të ketë një fund dhe me ç’duket do të jetë pikërisht 21 korriku. Është dita e së vërtetës, sepse do të jenë në provë jo vetëm Basha e Meta, por edhe Rama. Nuk është çudi që vetë Rama nuk është i interesuar për këtë reformë, edhe pse ai kërcënon përditë se do ta miratojë reformën në drejtësi e përmes saj ndëshkohën kundërshtarët. Duket se Rama është i bindur që të kundërtën do ta mbrojë fort kundërshtari i tij politik Lulzim Basha, i detyruar nga paraardhësi i tij Sali Berisha e ku implikohet në të njëjtin qëndrim edhe ish-aleati i tyre Ilir Meta. Këta katër faktorë politikë do të përballën me 21 korrik me “ditën e gjyqit”.
Investimi i SHBA nëpërmjet ambasadorit amerikan Donald Lu dhe zyrtarëve të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, i njëjti angazhim edhe nga Brukseli e të gjitha vendet anëtare të BE-së, së fundmi specifikisht nga Gjermania, nuk do të përfundojë pa rezultat. Ka një thirrje të përsëritur të ambasadorëve drejtuar individualisht secilit deputet të Kuvendit të Shqipërisë për ta miratuar reformën në drejtësi. Nëse do ketë disa prej tyre nga PD-ja që do t’i përgjigjen thirrjes së ambasadorëve çështja zgjidhet nga njëra anë. Do të ishte ky moment që vë në provën e zjarrit krerët e mazhorancës Rama e Meta. A do të jenë gati të gjithë deputetët e mazhorancës për ta votuar reformën në drejtësi ashtu siç kanë deklaruar liderët e tyre?! Frika është se i njëjti numër që “trafikohet” nga opozita drejt votës pro, do të jetë nga mazhoranca drejt votës kundër. Megjithatë do të jetë shumë e vështirë për mazhorancën, por edhe për opozitën ta lënë me kaq. Mund të jetë pikërisht ky moment, kur mund të “hapen letrat”, me apo pa miratimin e kësaj reforme në drejtësi. Nëse nuk do të ketë tërheqje të ndërkombëtarëve nga kjo betejë, 21 korriku duket se do të jetë dita më e rëndësishme në historinë post-komuniste të Shqipërisë, ndoshta atë ditë do të nisë të marrë kuptim për shqiptarët, termi sovranitet.