Nga Viol Xhafaj
Agjencitë e punësimit i sugjerojnë ambasadës britanike në Tiranë që të ofrohen mundësi punësimi në Britani për punëkërkuesit shqiptar, nëpërmjet kontratave te rregullta të punës. Nicholas Canon, ditën e enjte bëri një vizitë në zyrat e Europe Agency, për t’u njohur me mënyrën si operojnë në treg këta operatorë, të cilët kanë ndërmjetësuar me qindra kontrata pune brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe në vende të BE-së, apo ato arabe e gjetkë. Drejtori ekzekutiv i Europe Agency, Ermal Jauri, i tha ambasadorit anglez se ka ardhur momenti që Britania të hapë dyert për shtetasit shqiptarë, të cilët kanë kualifikimin e duhur në sektor të ndryshëm.
“Besoj fort që hapja e mundësive të punësimit të stafeve të kualifikuar të punëkërkuesve shqiptar në Angli, do të ulte ndjeshëm kërkesat për azil dhe emigracionin e paligjshëm. Ka plot vende pune në Angli, në të cilat një vendas nuk do të pranonin të punojnë, ndërkohë që ka plot punëkërkues nga Shqipëria që do të ishin të gatshëm t’i zinin këto vende. Nëse liberalizimi ndodh, kompanitë angleze do të gjenin në Shqipëri staf po aq të kulalifikuar dhe profesional si në Angli, por gjithashtu të gatshëm për të punuar dhe bërë karrierë në kompanitë angleze,” , i tha Jauri ambasadorit Canon.
Në vijim të bisedës, përsa i përket tregut të brendshëm të punës, Jauri edhe një herë ka përsëritur se Shqipëria ka nevojë për një sistem të mirëfilltë të formimit profesional. Sipas Jaurit, kjo do të sillte zgjidhje reale për punësimin në vend.
“Pa formim profesional të mirëplanifkuar sipas kërkesës së tregut, nuk mund të ketë punësim. Duke patur kontigjent profesionistësh të mirëkualifikuar, shumë partnerë të Europe Agency, do të çelnin filialet e tyre në Shqipëri si outsourcing dhe kjo do të ndikonte ndjeshëm në shtimin e vendeve të punës”, tha kreu i Europe Agency. Nga ana e tij ambasadori i Britanisë në Tiranë, Canon është shprehur i impresionuar që gjen në Shqipëri një zyrë të tillë me parametra ndërkombëtarë. Përsa i përket punësimit ambasadori Canon tha se ka ndjekur nga afër problematikat e punësimit në Shqipëri dhe bazuar edhe në projektin që British Council ka në Shkodër me shkollat e formimit profesional, mendon vërtetë që ulja e nivelit të papunësisë do të mundësohej pikërisht nga promovimi dhe standardizimi i sistemit profesional, duke u bazuar kjo në kërkesën e tregut të punës
“Në këndvështrimin tim personal dhe atë të ambasadë britanike, mendoj që një vend ku ka punëtorë të kualifikuar, punësimi nuk eshtë kurrë një problem, qofshin vendet e punës brenda apo jashtë vendit. Gjithmonë do të ketë kompani që do të kërkojnë këtë staf të kualifikuar”, tha ambasadori.