Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, ka depozituar në SPAK dosjen e provave për kryebashkiakun, Erion Veliaj, në lidhje me aferën e inceneratorëve. Më herë, nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, gjatë një konference me mediat, e kishte paralajmëruar këtë gjë, ku u shpreh se Veliaj është kapur në dëshmi të rreme në komisionin hetimor të inceneratorëve.
Tabaku parashtroi tre fakte të reja ku Erion Veliaj ka bërë shkelje me procedurat e inceneratorit të Tiranës. Sipas saj, krzebashkiaku ka marrë përsipër përgjegjësi të këshillit bashkiak Tiranë, si kryetar i Bashkisë dhe ka firmosur, si dhe ka marrë përsipër angazhimet e gjithë qarkut Tiranë.
“E para, Erion Veliaj, ka marrë përsipër përgjegjësi të këshillit bashkiak Tiranë, si kryetar i Bashkisë dhe ka firmosur, ka nisur një shkresë për Ministrinë e Mjedisit duke sqaruar koston e Bashkisë Tiranë, 91.8 milionë euro për të cilën ai merr përsipër angazhimin që duhet të merrte këshilli bashkiak, normalisht si autoriteti përgjegjës për miratimin e buxhetit. Erion Veliaj ka marrë përsipër angazhimet e gjithë qarkut Tiranë. Në nenin 9, pika 4, ai deklaron, siç thotë dhe kontrata koncensionare që në qoftë se bashkitë e tjera të qarkut Tiranë dështojnë për t’i paguar faturat e tyre, Bashkia Tiranë do ta bëjë këtë. Kjo i takon secilës bashki për t’u reflektuar. Ky është një problem dhe një shkelje ligjore nga ana e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, po njëkohësisht është edhe për Ministrinë e Financave dhe bashkitë e tjera po të qarkut Tiranë” – tha Tabaku.
Tabaku gjithashtu u shpreh se Veliaj i ka krijuar të ardhura shtesë koncensionarit, duke krijuar monopole dhe duke favorizuar operatorin ekonomik të koncensoonarit. Më tej ajo u shpreh se në incenerator është njëkohësisht edhe trajtimi i mbetjeve për të cilat nuk janë objekt kontrate dhe më specifikisht për mbetje të rrezikshme për të cilat PD ka bërë një padi tjetër që do t’i bashkëngjitet çështjes mjedisore kur të përfundojë e gjitha.
“Së treti dhe ajo që është më e rëndësishmja, i ka krijuar të ardhura shtesë koncensionarit. Ka krijuar monopol e duke favorizuar operatorin ekonomik të koncensoonarit, por duke dëmtuar interesin qytetarë, sepse në qoftë se i krijon të ardhura shtesë, ti duhet të ulësh koston për njësi. 48.9 milionë euro sipas librave të shitjes dhe të blerjes, kanë ardhur vetëm nga koncesioni dhe monopoli që ai ka dhënë në mënyrë jo ligjore, pa vendim këshilli bashkiak, për dherat për inertet. Kjo ka rezultuar jo vetëm në kosto dhe në dëm për buxhetin e shtetit në shifrat që unë përmenda, por njëkohësisht në tarifa edhe më të rritura të pastrimit për të gjithë qytetarët e Tiranës. Besoj këto janë tre më madhoret, përveç kësaj kontrata është shtyrë vetëm si rezultat të mosdhënies së lejes së ndërtimit që lidhet me funksionet e kryetarit të bashkisë Tiranë, Agjencisë për zhvillimin e Territorit dhe kryeministrit të vendit Edi Rama që i krijon një kosto shtesë vjetore të jashtëzakonshme me paga të jashtëzakonshme për ato punonjës që sot ka kompania e inceneratorit të Tiranës. Ndërtime pa leje, ndërtime pa leje mjedisore dhe nga të gjithë komunikimet që unë kam lexuar nga raporte që nuk na i ka dhënë dot institucionet shqiptare dhe autoriteti kontraktues, por kemi arritur që t’i marrim nga dosja e Kontrollit të Lartë të Shtetit, atje në incenerator është njëkohësisht edhe trajtimi i mbetjeve për të cilat nuk janë objekt kontrate dhe më specifikisht për mbetje të rrezikshme jo radioaktive për të cilat sigurisht ne do të bëjmë një padi tjetër që do t’i bashkëngjitet çështjes mjedisore kur të përfundojë e gjitha” – tha Tabaku.