Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pas interesimit të Greqisë në Parlament lidhur me pronat e minoritetit grek në Shqipëri. Ministria i ka cilësuar të habitshme ndërhyrjet në punët e brendshme, ndërsa i kujton shtetit helen se “Autoqefalia e Kishës ortodokse shqiptare, përveç se frut i mundimeve të panumërta të besimtarëve shqiptarë në breza, është kanonikisht rezultat i qenësisë së një shteti të pavarur dhe sovran shqiptar, në bazë të parimit të kahershëm “Kishë e lirë në Shtet të lirë”.
“Vëmë re sërish me habi se si problemet juridike pronësore në Shqipëri kthehen në pretekst për të përligjur ndërhyrje në çështje krejt të brendshme të Shtetit shqiptar.
Autoqefalia e Kishës ortodokse shqiptare e njohur botërisht, të ri konfirmuar në përkatësinë e saj shqiptare nga Shenjtëria e Tij Patriarku Bartolome I-rë, gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Fanar, e shohim të shpaloset sot lirshëm karshi kishave simotra në Koncilin Panortodoks të Kretës.
Për pasojë, sa herë që Shteti grek mban qëndrime lidhur me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ortodoksët në territorin e Shtetit shqiptar, ndërhyn në punët e brendshme të Shtetit shqiptar” thuhet ndër të tjera në reagimin e MPJ.
Përsa i përket çështjes së pronave të Kishës autoqefale diplomacia shqiptare thekson se “Çështjet juridike pronësore ende të pazgjidhura të Kishës autoqefale shqiptare janë në trajtim të vazhdueshëm dhe do të shqyrtohen në bazë të ligjit dhe në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Çështja e rikthimit të pronave në Shqipëri, është një proces që prek shtetasit shqiptarë pa dallim etnie, feje apo kombësie”.
Ministria e Jashtme e mbyll reagimin e saj me kujtesën ndaj Greqisë se “Republika e Shqipërisë ka një angazhim të përhershëm për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, pjesë përbërëse e të cilave janë dhe të drejtat e pakicave. Vendi ynë është palë në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve, e cila përbën dokumentin më të plotë ligjor në planin ndërkombëtar për garantimin e të gjitha të drejtave të minoriteteve. Gjithsesi, Shqipëria mbetet e hapur për t’iu referuar çdo praktike pozitive në funksion të përmirësimit më tej të standardeve në këtë fushë”.