Kryeministri Edi Rama ka komentuar përfshirjen e Erion Veliajt në garën për kreun e ri të FSHF-së. Ai shpreh se konflikti mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe FSHF-së nuk është çështje e qeverisë.
“Nuk kam asnjë koment. Qeveria është tërësisht jashtë kësaj çështje. Për qytetarët mund të ishte më e rëndësishme tema e legalizimit apo jo të kanabisit mjekësor, amnistimit të punës në të zezë të emigrantëve. Konflikti i bashkisë si aksionere e futboll klub Tirana me FSHF-në nuk është një çështje e qeverisë. Nuk është tema jonë kjo si qeveri. Kam bërë një bisedë me kryetarin e bashkisë pasi doli një përgjim” – u shpreh Rama.
Pas audio-përgjimit, Rama u shpreh se kishte pasur një telefonatë me Erion Veliajn dhe kryebashkiaku i kishte shpjeguar bisedën dhe kontekstin e përmendjes së SPAK-ut.
“Përgjimin nuk e kam dëgjuar, refuzoj të dëgjoj përgjime sepse të gjitha të dala nga konteksti prodhojnë diçka të tillë. E mora ta pyes ca është kjo dhe më shpjegoi gjithë kontekstin, abuzimet e Federatës, procesin e zgjedhjeve jashtë standardit. I thashë po SPAK-un për çfarë e përmend. Shiko si del nga konteksti. SPAK-u nuk ka lidhje fare me një OJF. Kuptohet që është një fjalë e thënë në një muhabet, por SPAK-u vetë nuk ka kompetencë të merret me OJF-në. Është një muhabet në një dhomë me profesorë kalçetoje. Thonë që kanë të dhëna flagrante për farsën e zgjedhjeve është puna e tyre” – tha Rama.