Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i ftuar në institutin austriak Karl-Renner në Vjenë ku ka folur për idenë e bashkimit me Shqipërinë, njohjen e mundshme të Kosovës nga Spanja si dhe Marrëveshjen e Washingtonit dhe administratën e re në ShBA. Kurti tha se deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk është menduar si pavarësi nga Shqipëria, por si çlirim nga Serbia.
“Në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë unë kurrë nuk do ta imagjinoja bashkimin tonë duke shkaktuar luftë për ta bërë atë ose për të shkaktuar konflikte jo demokratike të çfarëdo lloji. Për këtë çështje, do të doja që ta theksoj faktin që Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk është menduar asnjëherë si pavarësi nga Shqipëria, por si çlirim nga Serbia dhe ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë. Pra, të gjithë shqiptarët që do ta dëshironin këtë bashkim, ai asnjëherë nuk është kundër dikujt tjetër dhe nuk është asnjëherë qëllimi që të na bëjë neve më të mëdhenj, por për të kontribuuar në mirëqenie dhe liri, pra, si shprehje e lirisë, jo si shprehje e agresionit. Si kryeministër, në këtë mandat, siç keni theksuar ju, unë kam fituar me “biletën” për punë dhe drejtësi dhe këto janë prioritetet e mia të para dhe më të rëndësishmet”, ka thënë Kurti.