Ministri i jashtëm grek thotë se ministri i jashtëm shqiptar i ka thënë: “Çështja Çame e budallalleqe të tilla nuk ekzistojnë. Shqipëria është pjesë e sistemit të marrëveshjes së Helsinkit dhe askush nuk ëndërron ndryshim kufijsh”, ndërkohë thekson se kryeministri Rama as që e ka përmendur Çështjen Çame
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar për mediat greke, se homologu i tij shqiptar, Ditmir Bushati, i ka thënë se Çështja Çame e budallallëqe të tilla nuk ekzistojnë në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi dhe se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale. Në një intervistë për radiot greke, Alpha Radio dhe Real Radio, ai ka thënë se as kryeministri Rama nuk e kishte përmendur fare Çështjen Çame në takimin që kishte patur me të.
Në përgjigje të gazetarit për vizitën në Shqipëri dhe specifikisht për Çështjen Çame, Kotzias është përgjigjur: “Ministri i jashtëm shqiptar tha katër herë publikisht në Universitetin e Tiranës se “Çamëri dhe budallallëqe të tilla nuk ekzistojnë, se Shqipëria është pjesë e sistemit të marrëveshjes së Helsinkit dhe askush nuk ëndërron ndryshim kufijsh… Pra, kërkesa zyrtare e partisë çame vdiq në praninë time. Edhe kryeministri Rama që takova nuk e ngriti fare këtë çështje.
Unë u thashë gazetarëve se ka çamë që ishin në Greqi, ka çamë shqiptarë që erdhën në Greqi gjatë Luftës dhe krijuan këshillat e çamëve, veçanërisht në Thesproti, por edhe në Korfuz dhe kemi shumicën e çamëve që jetonte gjithnjë në shtetin shqiptar dhe asnjëherë nuk erdhën në Greqi dhe nuk kanë lidhje me Luftën e Dytë Botërore. Budallallëku më i madh është të shtoj propagandën e nacionalizmit shqiptar që do të vendosë Çështjen Çame në Epir-Thesproti, si një çështje që ka të bëjë me 200 mijë çamë që nuk e kanë parë Greqinë as me dylbi.
U shpjegova more zotëri se problemi çam nuk janë çamët që lindën, e u rritën dhe jetuan gjithë jetën e tyre në Shqipëri e as çamët grekë që jetojnë sot në Thesproti të integruar. Problem janë çamët që bashkëpunuan me pushtuesin, bënë krime të tmerrshme. Këta njerëz nuk u dëbuan, ikën nën peshën e krimeve të tyre. Nuk mund të përdoren si elementë nacionalizmi nga çamët e tjerë që nuk jetuan në Greqi dhe as erdhën me pushtuesin në Greqi dhe as mundet të kushtëzojnë marrëdhëniet Greqi-Shqipëri”, shprehet Kotzias për Alpha Radio.
Ndërsa në një intervistë për Real Radio, Kotzias foli për sulmet e mediave greke ndaj tij, të cilat e cilësuan si të dështuar këtë vizitë. Kotzias foli edhe për protestën e shoqatës “Çamëria” duke theksuar se ishin 150 veta, me të cilët u përball ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.
“Nuk ishte me incidente, me incidente ishin kronikat. Pamja ishte një lojë zmadhimi dhe zvogëlimi. 150 tipa që kanë një mendim, protestonin për çamët dhe në fund u inatosën me ministrin e jashtëm të Shqipërisë, sepse kishte kurajon dhe nderin t’u thoshte katër herë në intervistën e përbashkët për shtyp por edhe në fjalet që mbajtëm në Universitetin e Tiranës se nuk mund të vendosen çështje territoriale”, tha Kotzias.
Në të vërtetë, të hënën e 6 qershorit, shoqata “Çamëria” dhe qytetarë të tjerë të Tiranës zhvilluan një protestë të madhe para dyerve të ministrisë së jashtme ku pritej të vinte Kotzias. Ai u detyrua të hynte përmes derës së mbrapme të ministrisë për të mos u përballur me turmën e madhe të komunitetit çam. Ata protestuan për rreth katër orë duke ndikuar ndjeshëm në sensibilimin e kauzës së tyre. Aq shumë sa gazetarët grekë të pranishëm në delegacionin e Kotzias, janë acaruar së tepërmi dhe kanë nisur të shajnë me zhargonin e tyre protestuesit.
Se çfarë thotë Kotzias për vizitën e tij në Tiranë në përpjekje për të bindur mediat greke se nuk dështoi, është një gjë, ndërsa deklaratat që ai shpreh publikisht në emër të ministrit të jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, janë një gjë tjetër.
Në të vërtetë, ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, deklaroi disa herë se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj askujt. Por, nga ana tjetër ai theksoi se Çështja Çame ekziston. Kryeministri Rama gjithashtu tha se Çështja Çame është një problem për t’u zgjidhur mes dy vendeve, bashkë me ligjin absurd të luftës. Megjithatë, do të ishte mirë që ministri i jashtëm, Ditmir Bushati, të përgënjeshtronte deklaratën e homologut të tij grek, Kotzias sipas të cilit: “Ministri i Jashtëm Shqiptar tha katër herë publikisht në Universitetin e Tiranës se Çamëri dhe budallallëqe të tilla nuk ekzistojnë”.
http://www.himara.gr , linku ku mund të ndiqni intervistën e ministrit të jashtëm grek, Nikos Kotzias.