Në seancën e sotme plenare, mazhoranca rrëzoi në Kuvend dekretin e kthyer nga Presidenti Nishani për marrëveshjet ndërkombëtare. 73 ka qenë numri i deputetëve që votuan kundër dekretit të Presidentit të Republikës, i cili ktheu ligjin duke deklaruar se ai bie ndesh me Kushtetutën.
Kthimi për rishqyrtim e ligjit nga Kreu i Shtetit u bë me 6 maj të këtij viti. Ligji parashikon shmangien e Kuvendit në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke ia ngarkuar këtë kompetencë Qeverisë.
Presidenti ka argumentuar se ligji themeltar i shtetit përcakton që Marrëveshjet Ndërkombëtare që sjellin detyrime financiare për Republikën e Shqipërisë, kërkojnë ratifikimin me ligj nga Kuvendi.
Kreu i shtetit ka vazhduar më tej duke pohuar se, në Kushtetutë, në nenin 121 përcaktohet qartë se: “Ratifikimi dhe denoncimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë bëhet me ligj në rastet kur ato kanë të bëjnë me: marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Shqipërisë; miratimin, ndryshimin, plotësimin ose shfuqizimin e ligjeve”.