Ligji për parandalimin e pastrimit të parave ka pësuar ndryshime në disa nene që kaluan të mërkurën e kësaj jave në mbledhjen e qeverisë. Por cilat janë në fakt disa nga ndryshimet që bien në sy.
Së pari bëhet një saktësim më i mirë i dy termave, asaj për bankën guaskë si dhe për personat e ekspozuar politikisht. Për të dytët drafti i ri përveçse zgjeron dhe saktëson kategoritë se kush quhen persona të ekspozuar politikisht ndalet edhe tek përcaktimi i atyre që cilësohen si familjarë apo të afërt që janë pjesë e ligjit.
Saktësimi i personave të ekspozuar politikisht dhe familjarëve të tyre
Kështu me variantin e ri “personat e ekspozuar politikisht”, në kuptim ligjit, janë:
- a) individët, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi, me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, pavarësisht nëse kanë detyrimin për deklarimin sipas legjislacionit në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë;
- b) individët, të cilët kanë apo kanë pasur funksione të rëndësishme si brenda vendit apo jashtë vendit, në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, të tillë si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, ministra, zëvendësministra ose pozicione të ngjashme me to, anëtarë të Kuvendit ose organeve legjislative të ngjashme, politikanë të lartë, anëtarë të organeve drejtuese të partive politike, gjyqtarët e gjykatave të larta ose kushtetuese si dhe çdo gjyqtar i një gjykate, ndaj vendimeve të së cilës nuk mund të ushtrohen mjetet e zakonshme të ankimit, anëtarët e organeve drejtuese të bankave qendrore, ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë si dhe oficerët me gradë madhore në Forcat e Armatosura, drejtuesit e lartë dhe/ose anëtarët e organeve drejtuese të shoqërive shtetërore, si dhe drejtorët, zëvendësdrejtorët ose anëtarët e bordit ose çdo pozicion tjetër i ngjashëm me to në një organizatë ndërkombëtare. Për qëllime të kësaj shkronje, persona të ekspozuar politikisht janë edhe anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi të personave të mësipërm.
Këto individë cilësohen sit ë tillë deri në tre vite pas largimit nga funksioni. Në shtesë të këtij ndryshimi ligji përcakton anëtarët e familjes së personit të ekspozuar politikisht janë: a) bashkëshorti/ja apo bashkëjetuesi/sja e një personi të ekspozuar politikisht; b) fëmijët dhe bashkëshortët/et e tyre apo bashkëjetuesit/set; c) prindërit e një personi të ekspozuar politikisht.
Kurse persona të lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi të personit të ekspozuar politikisht për qëllime të këtij ligji janë: a) individët që janë bashkërisht pronarë përfitues në persona juridikë apo organizime ligjore apo çfarëdo marrëdhënie tjetër të ngushtë biznesi me një person të ekspozuar politikisht; b) personat të cilët janë pronarët përfitues të vetëm një personi juridik apo organizimi ligjor, i cili dihet se është krijuar për përfitimin de-facto të personit të ekspozuar politikisht.
Saktësohet lista e subjekteve që i nënshtrohet ligjit, si ndryshon vigjilenca e zgjeruar
Ndryshimet e fundit ligjore në projektligjin që kaloi në qeveri bëjnë një sërë ndryshimesh në nenin 3 që përfshin subjektet që i nënshtrohen. Përveçse bëhet një zgjerim dhe qartësim i kategorive të profesioneve, drafti parashikon edhe përfshirjen më vete të aktiviteteve të tilla si shitblerjen apo ndërmjetësimin e veprave të artit kur vlera e transaksionit apo disa transaksioneve të lidhura është e barabartë apo më e madhe se 1 milionë lekë.
Një tjetër nen që ndryshon është ai 8 i ligjit dhe që ndalet tek kategoritë e klientëve dhe transaksioneve, ndaj të cilëve zbatohet vigjilenca e zgjeruar.
Konkretisht në draftin e qeverisë shtohen dy pika të reja që kanë të bëjnë me rastet se kur subjektet duhet të verifikojnë dhe t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe transaksioneve me të gjitha kategoritë e klientëve, të cilët banojnë ose e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vende për të cilat kërkohet marrja e masave të posaçme, sipas përcaktimeve apo kërkesave të autoritetit përgjegjës.
Kështu në pikën 5/1 që vjen si shtesë e nenit thuhet se në lidhje me marrëdhëniet e biznesit apo transaksionet që përfshijnë vendet me risk të lartë sipas shkronjës “f”, të nenit 22, të këtij ligji, subjektet duhet të zbatojnë masat e mëposhtme të vigjilencës së zgjeruar ndaj klientit:
- a) Të marrin informacion shtesë për klientin dhe pronarin përfitues;
- b) Të marrin informacion shtesë mbi natyrën e marrëdhënies së biznesit;
- c) Të marrin informacion mbi burimin e fondeve dhe burimin e pasurisë së klientit dhe pronarit përfitues;
ç) Të marrin informacion mbi arsyet e transaksioneve të synuara ose të kryera;
- d) Të marrin miratimin e drejtuesve të lartë për vendosjen ose vazhdimin e marrëdhënieve të biznesit;
- dh) Të kryejnë monitorim të zgjeruar të marrëdhënieve të biznesit duke rritur numrin, shpeshtësinë apo periodicitetin e kontrolleve të aplikuara dhe zgjedhjen e modeleve të transaksioneve që kanë nevojë për kontroll të mëtejshëm.
Krahas masave të mësipërme, subjektet zbatojnë një ose më shumë nga masat shtesë lidhur me klientët apo transaksionet që përfshijnë vende me risk të lartë: zbatojnë elemente shtesë të vigjilencës së zgjeruar;
përdorin mekanizma të përmirësuar për raportime apo raportim sistematik të transaksioneve financiare te personi/strukturat përgjegjëse brenda subjektit;
iii. kufizojnë marrëdhëniet e biznesit ose transaksionet me individët apo persona juridikë nga vendet me risk të lartë.”.
Transfertat e parave, të dhënat do mbahen të plota për dërguesin dhe përfituesin
Neni 10 i ligjit ka zgjeruar mbulimin me informacion për palët e përfshira në një transfertë. Teksa me ligjin aktual informacioni kërkohet i plotë për dërguesin, tashmë me ndryshimet ligjore do të kërkohen të njëjtat të dhëna edhe për përfituesin.
“Subjektet, veprimtaritë e të cilave përfshijnë transferta parash ose vlerash, në rastin e transfertave në nisje dhe në mbërritje, duhet të marrin dhe të identifikojnë emrin, mbiemrin, adresën, numrin e dokumentit të identifikimit ose numrin e llogarisë së dërguesit dhe përfituesit si dhe emrin e institucionit financiar të përfshirë në transfertë” thuhet në pikën 1 të nënti 10 të ndryshuar.
Po kështu për herë të parë përveç përcaktimit të afatit minimal për mbajtjen e dokumenteve dhe informacionit në funksion të ligjit që është ai 5 vjeçar, ndryshimet ligjore përcaktojnë se ato nuk mund të mbahen më shumë se 40 vjet nga data e secilit transaksion apo data e mbledhjes së dokumentacionit apo kryerjes së analizës.
Autoritetet kanë të drejtë të refuzojnë zyra përfaqësuesve të subjekteve nga vende me rrezik
Një tjetër ndryshim që bëhet në projektligj është ai që i jep të drejtë autoriteteve të refuzojnë hapjen e zyrave përfaqësuese nga subjekte që vijnë nga vende me rrezik. Pas nenit 24 shtohet një nen i ri 24/1 i cili nënvizon ato që njihen si masa shtesë për një vend me risk të lartë.
“Autoritetet mbikëqyrëse dhe/ose licencuese zbatojnë një apo disa nga masat e mëposhtme në raport me vendet me rrezik të lartë:
- a) Refuzimi i themelimit të degëve apo zyrave përfaqësuese të subjekteve nga vende me risk të lartë, apo, në raste të tjera, marrja në konsideratë e faktit se subjekti është nga një shtet i cili nuk ka apo nuk zbaton sisteme të duhura për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
- b) Ndalimi i subjekteve që të themelojnë degë apo zyra përfaqësuese në vendin me risk të lartë apo marrja parasysh e faktit se dega apo zyra përfaqësuese përkatëse do të ishte në një vend i cili nuk ka apo nuk zbaton sisteme të duhura për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
- c) Të kërkohet mbikëqyrje e shtuar apo kërkesa të shtuara për auditim të jashtëm për degët dhe zyrat e përfaqësimit të subjekteve që gjenden në vende me risk të lartë;
ç) Të kërkohet shtimi i kërkesave për auditim të jashtëm për grupet financiare në raport me cilëndo prej degëve dhe filialeve të tyre që gjenden në vende me risk të lartë;
- d) Të kërkohet nga bankat ose institucionet financiare rishikimi dhe ndryshimi apo, nëse është e nevojshme, përfundimi i marrëdhënieve korrespondente me institucionet përkatëse në vendin/et me risk të lartë” Thuhet në projektligj.
Gjoba deri në 10% të qarkullimit por jo më pak se 650 milionë lekë
Një tjetër ndryshim është bërë në nenin 27 ku përcaktohen kundravajtjet administrative. Në pikën 3 ku bëhet një renditje e gjobave për rastet kur autoriteti përgjegjës vlerëson shkeljet e konstatuara shtohen dy nënpika të tjera.
Kështu kur shkeljet e detyrimeve të parashikuara në këtë ligj si dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij janë të rënda, të përsëritura, sistematike apo një kombinim i tyre, ndaj subjekteve vendoset gjoba maksimale në së paku dyfishin e shumës së përfitimit të nxjerrë nga shkelja kur ai përfitim mund të përcaktohet ose deri në 125 000 000 (njëqind e njëzet e pesë milionë) lekë në rastet kur nuk mund të përcaktohet apo është më i vogël.
Në pikën (ë) thuhet se përveçse sa parashikohet në pikat më sipër, për rastet kur shkeljet e detyrimeve të parashikuara në këtë ligj si dhe në aktet nënligjore të dala në zbatim të tij kryhen nga subjektet e përcaktuara në nenin 3, shkronjat “a”(banka apo subjekt që mbikëqyret nga BSH), “b”(subjekt financiar jo bankë) dhe “c”(zyrë këmbimi valutor), kur:
subjekti është person juridik, vendoset gjobë deri në 10 (dhjetë) përqindëshin e qarkullimit total vjetor sipas pasqyrave financiare të konsoliduara të vitit të fundit, të miratuara, ku përfshihen edhe pasqyrat financiare të bijave në rastet kur subjekti është një shoqëri mëmë. Në rast se 10 (dhjetë)- përqindëshi i qarkullimit total vjetor është më pak se 625 000 000 (gjashtëqind e njëzet e pesë milionë) lekë, nga autoriteti përgjegjës vendoset gjoba deri në 625 000 000 (gjashtëqind e njëzet e pesë milionë) lekë;
subjekti është person fizik vendoset gjoba deri në 625 000 000 (gjashtëqind e njëzet e pesë milionë) lekë.”