Nga Ylli Manjani
Çdo qeveri në shpinë të kësaj toke, amerikane, gjermane, franceze, kineze apo ruse qoftë, njeh dhe respekton të zgjedhurit e një vendi tjetër.
Ky kod shpjegon çdo deklaratë mbështetëse që ata bëjnë për të zgjedhurit në Shqipëri e kudo në botë, pavarësisht sa diktatorë janë në vendet e tyre.
Ndaj nuk e kam kuptuar e as e kuptoj pritshmërinë idiote kolektive që e kemi ne shqiptarët që Amerikanët të heqin e të venë në pushtet sipas qejfit!
Them idiote sepse udhëheqësit tanë i zgjedhim vetë jo amerikanët, as rusët, as gjermanët, as kinezët e askush tjetër. Vetëm ne këtu në Shqipëri!
Nongratllëqet, janë mesazhe politiko-diplomatike pakënaqësie jo vendime të detyrueshme për shtetin tjetër. Janë edhe produkt lobimesh (dihet që mund të blesh deklarata e qëndrime sa të duash në SHBA, mjafton të gjesh lobistin e duhur). Nuk janë as deklarata armiqësie, sepse armiqve të tyre u hedhin bomba jo llafe…
Ndaj sa më shpejt ta mbledhim mendjen se pronar të demokracisë jemi vetë ne, aq më e mirë do bëhet demokracia. Në të kundërt do vendosin gjithmonë spekulantët e mashtruesit që hiqen si “amerikanë”, ndërkohë që ne hedhim votën si ujët në havan…