Ambasadori amerikan: Ka ardhur koha që politikanët të fillojnë të dëgjojnë popullin e tyre
Sa vjen e ashpërsohet gjuha me të cilën ambasadori amerikan i drejtohet klasës politike shqiptare. Sot ambasadori i SHBA-së tha se politikanët shqiptarë janë arrogant dhe mendojnë se populli i tyre nuk i kupton dot. Tipike arrogancë e një politikani shqiptar, thekson Donald Lu. Ai ka rrëfyer një bisedë që ka pasur me një politikan shqiptar, me sa duket i nivelit të lartë, i cili i ka thënë ambasadorit se populli nuk e kupton reformën në drejtësi. Gjatë prezantimit të sondazhit për korrupsionin i organizuar nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, ambasadori amerikan është shprehur qartë dhe pa rezerva për atë që mendon për politikanët shqiptarë.
“Kam pasur një diskutim me një politikan që pretendonte se populli shqiptar nuk mund ta kuptojë në të vërtetë debatin për reformën në dretësi. Sinqerisht kjo është tipike për arrogancën e politikanëve dhe elitës shqiptare që besojnë se vetëm ata janë të zgjuar mjaftueshëm për të kuptuar se cfarë po ndodh në shoqërinë shqiptare.
Nga e di unë se shqiptarët e kuptojnë reformën dhe problemin e korrupsionit? Për shkak të studimeve serioze të Shoqërisë Civile. Ai është kryer në mënyrë profesionale. Raporti tregon pak përparim gjatë 12 muajve të fundit me një rënie prej 13% të njerëzve që thonë se kanë pasur një përvojë vetjake dhe të drejtëpërdrejtë me korrupsionin. Studimi vazhdon të tregojë se problemet më të mëdha të korrupsionit mbeten tek udhëheqësit e partive politike , prokurorët, gjykatësit dhe doganierët. Nuk habitem aspak nga ky përfundim. Ai tregon se populli shqiptar e kupton me të vërtetë se cfarë po ndodh me korrupsionin në Shqipëri. Ka ardhur koha që politikanët të fillojnë ta dëgjojnë”, tha Lu.