Nga Alket Veliu
Edi Rama përditë po zhvillon një betejë private mes delirit të madhështisë për veten dhe asaj që ndodh realisht. Tallavitet me daulle se e ndjen që është humbësi i madh i zgjedhjeve! U ngjir duke mbajtur fjalime për fitore, se e di që do të dalë me këpucë të kuqe. Ka arritur deri atje sa gjysma e shishes bosh t’i duket plot dhe mban fjalime për fitore.
Me “mrekullitë” e tij mbetëm të fundit në rajon për mirëqënie e drejtësi dhe të parët për korrupsion, sherre e varfëri! Por, atij i duket vetja si peshkaqeni, vërtet e kanë dënuar me mbytje, por e kanë hedhur në detin… që ia bëri qokë Greqisë.
Dy ditë më parë në Vlorë, teksa kërkonte “i shqetësuar” kandidatë çamë nga opozita (se ata që njihte i firoi dhe i futi të gjithë në lista) e cilësoi Shpëtim Idrizin “sekseri i Çamërisë…”. Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe (Botim i Akademisë Kombëtare të Shkencave), viti 2006, kuptimi i fjalës “sekser” është “ndërmjetës për shitblerjet”. Shqiptarët e dinë mirë, o Ram Mavriu, se kush është marrë me “sekserllëqe”, kë kanë hequr për hunde grekë e serbë, kush shiti det e stere, mbushi vendin me varreza greke. Duke varur në dyert e këtyre varrezave edhe Çështjen Çame ke dalë nga lëkura jote, si gjarpëri që del nga lëkura e tij, me faqet e mbufatura të ekstazës së tradhtisë, të fëlliqura deri në pëgërje.
Duke sharë e përgojur PDIU-në dhe Shpëtim Idrizin je bërë si i çmenduri që vallëzon me rrufenë në duar, si murgu që ngre poturet e tij për të pshurrur kudo në botën shqiptare. Historinë, sa më shumë ta falsifikosh, aq më pak prodhim të jep. PDIU nuk mban përgjegjësi për politiqenër që u kruhet, u djeg dhe s’dinë ku të gjejnë derman. Në pazar njeriu që bërtet më shumë është matrapazi, i cili përpiqet të shesë mallin e vet kallp dhe shan mallin e të tjerëve.
Ram Mavriu bluan e bluan (propagandë), si mulli pa kokrra, dhe u thotë qytetarëve: “Shtrëngoni rripin, se më duhet një mandat i tretë! Por, ah…! Po më pengojnë këta aleatët e opozitës… Po më bëjnë gjëmën!”. E kap paniku dhe “kuak” si bretkosat, që nuk kanë asgjë më të mirë për të bërë se sa të kuakin! Nuk e kupton se sa më shumë të kuaki për PDIU-në dhe të mërmërisë emrin e Shpëtim Idrizit nga moçali i tij elektoral, aq më shumë i shtohen votat kësaj partie.
PDIU, plotësisht e imunizuar nga skllevër e të shitur si puna jote, në 25 prill do të gjejë një kapelë që t’i shkojë kokës sate, ose do të të japë një helmetë koke. Të shtrëngon? E po, ç’rëndësi ka, të rri mirë! Më 25 prill, PDIU do të mbledhë me qetësi dhe do t’i vërë në një kuti, te koka e arkivolit tënd elektoral, të gjitha anatemat, pasthirrmat, presjet, pikëpresjet, vizat ndarëse, kllapat katrore, pikat, pikëçuditëset, që t’i lëshove.
Ramë Mavriu bën mirë që e ndjen rrezikun e PDIU-së, por ende nuk e ka marrë vesh se nga do i vijë fundi i vërtetë. E ka pësuar si heroi i asaj fabulës së njohur që kishte gjetur belanë me një qerrata lepur që i brente shalqinjtë, pjeprat dhe trangujt. Për këtë iu ankua gjykatësit, i cili erdhi me 6-7 trima, hipur mbi kuaj, armatosur me shpata e armë zjarri. I ranë qoshe më qoshe kopshtit, kaluar siç ishin, dhe bënë batërdinë. Në kopësht nuk kish mbetur më asgjë. Pasi hëngrën dhe një drekë të mirë, i thanë kopshtarit: Ti kot po qahesh, në kopësht nuk kishte as lepur e as dhelpër. Nga kopshti yt, o kryederdimeni i “Rilindjes”, socialistët janë larguar me shpejtësi, si kopeja e Panurgut dhe nuk i ndalon dot më.
Tani, ata dinë të dallojnë mirë tepsinë nga luga, kusinë nga tigani. Me hir apo me pahir, ti i shtove radhët e popullit opozitar dhe përgatite funeralin e “Rilindjes” sate.