Akademiku i njohur, Artan Fuga ka nënvizuar se sistemi arsimor dhe shkencor ka nevojë për veterregullim dhe autonomi.
Duke u ndalur tek ligji për Akademinë e Shkencave, Fuga tha se ai bie ndesh, siç është pranuar nga vetë ligjvënësit, me ligjin për Arsimin e Lartë.
ANALIZA E FUGËS
Një ëndërr për arsimin e lartë
Fjala në Konferencën e organizuar nga Co- Plan!
——————————————————
Jo më hyp këtu të shoç Stambollin!
Pas 8 vjetësh, sot, pas praktikave për reformën e arsimit të lartë, nuk kemi ende asnjë studim qeveritar për atë se cilat janë rezultatet e saj, veç disa fjalëve propagandistike në mitingje periferike për fushatë elektorale.
Janë ndryshuar disa ministra dhe disa zëvendësministra dhe askush nuk e di më përgjegjësinë e kujt është. Njeri bëhet kryetar bashkie diku, tjetri ri-ikën në emigrim, tjetra rikthehet nga erdhi, tjetri merret me ndërtimet në Tiranë, tjetri i papunë, etj. Nga deputetët e komisionin të Arsim Shkencës vetëm dy ose tre njohin nga brenda sistemin shkencor dhe arsimor. Por, ata bëjnë ligjin. Eshte e qartë se sistemi arsimor dhe shkencor ka nevojë për veterregullim dhe autonomi të shkallës të lartë të sistemit të arsimit të larte dhe shkencës.
Kemi një ligj për akademinë e shkencave që bie ndesh, siç është pranuar nga vetë ligjëvënësit, me ligjin për arsimin e lartë dhe një ligj për arsimin e lartë që ndalon veprimtari për të cilat akademia e shkencave kryen aktivitete dhe merr financime nga qeveria. Kemi financime qeveritare arbitrare dhe pa konkurim publik për studime që priren të vërtetojnë krijimin absurd të “imunitetit të tufës”, në kohën kur epidemia e Covid 19 ka arritur pikun e lartë të vdekjeve.
Kemi mijëra të rinj që ikin për studime universitare jashtë shtetit.
Anë e mbanë vendit mbyllen profile studimesh, për mos-regjistrim studentësh, pra jo si rezultat i një strategjie transformimi të tyre nën drejtimin e Ministrisë të arsimit, por si dështime.
Dy vjet më parë studentët dolën në rrugë për të dëshmuar varfërinë dhe pakënaqësinë e tyre, dhe si përgjigje morrën fjalë pa asnjë rezultat.
Për të mos folur për tezën e letërsisë të maturës me qendër hallet e Turit, një personazh tuaf hilarizues, i ngjashëm me Din Pakun, që i ngjante më tepër një hallakatjeje psikopatologjike, çka reflekton kaosin e cilësisë të arsimit parauniversitar. Kjo çoi në të parën demonstratë nxënësish në historinë e njerëzimit ku nxënësi kritikonte mësuesit!!!
Dhe tani pas 8 vjetësh, ajo që premtohet është se qeveria do të sjelli në Fier universitetin politeknik të Stambollit që nuk është as më pak dhe as më shumë veçse një dështim i pranuar i reformës. Po të përdorja një fjalë të urtë popullore shqiptare është një : “Hyp këtu të shoç Stambollin !”
+++
Një reformë e vërtetë e arsimit universitar nuk mund të konceptohet nga ana tjetër nga tre ose katër persona politikë që nuk ka sesi ta njohin sistemin universitar, pa studime, dhe pa konsultime me komunitetin e gjerë universitar. Mbi të gjitha kërkohet të përcaktohen të gjitha degëzimet dhe hallkat sistemike ku duhen bërë korrigjimet, ndërhyrjet, si edhe nivelet administrative, financiare, shkencore, të të drejtave të studentëve që sot janë në nivelin vetëm të të drejtave kolektive, të orientimit me tregun, apo edhe në sistemet e drejtimit të arsimit të lartë.
E po ashtu, në plan strategjik duken përcaktuar vlerat që do të udhëheqin këtë reformë. Nuk vlen një program reforme nëse nuk paraqitet fillimisht strategjia, ana financiare, qëllimet, objektivat, parametrat e matjes të arritjeve të pritshme të saj, etj., pra nëse kalohet në mënyrë amatoreske drejt dhe në propozime heteroklite dhe pa lidhje me njeri tjetrin.
Reforma arsimore nuk duhet konfonduar as thjesht me reformën ekonomike të mbështetjes të studentëve apo të politikave sociale për ta. Kështu, sado e rëndësishme të jetë ana ekonomike në financimin e studimeve, nuk duhet të na çojë në një temë tjetër. Problemi është jo aq se studenti ka vështirësi ekonomike, por sepse pas viteve të gjata të studimeve, pas sakrificave, ai ka në dorë një diplomë që nuk është siç e ëndërronte, gjeneruese vlerash monetare dhe sociale për të.
Mbi të gjitha na duhet të ndajmë mirë dhe qartë profilet e studimeve që (a) bëhen thjesht për të rritur nivelin kulturor të qytetarit, (b) profile që diplomojnë specialistë të lartë për fusha të ndryshme të shoqërisë, (c) profile studimesh që çojnë në profesione praktike, të cilat duhet ta rrisin peshën e tyre, si edhe (d) studime ekselence që diplomojnë elita teknokratësh dhe administratorësh të talentuar. Të gjitha këto tani janë përzjerë në një nebulozë amorfe.
Jam për një arsim të lartë të bazuar në përgjegjshmërinë e pedagogut dhe studentit për të marrë përsipër iniciativën e formimit të të diplomuarve, jo për një student dhe pedagog pa iniciativë dhe thjesht pësues urdhërash administrative vertikale nga agjenci dhe institucione të politizuara.
Jam për universitete private dhe publike që të bashkojnë realisht burime financiare të diversifikuara të menaxhuara afatgjatë, dhe që nxisin përgjegjësinë për cilësi nga ana e stafeve dhe nuk e shtojnë personelin e tyre pa asnjë llogari financiare bazuar te arritja e optimumit: financim – rezultate, pra kthim i investimit të bërë për burimet njerëzore ose infrastrukturore.
Jam për një arsim të lartë të bazuar në kërkimin shkencor, dhe jo në dogma apriorike në të cilat kanë prirje të kthehen të gjitha dijet e ngurtësuara në stereotipe.
Jam për arsim të lartë që hap perspektiva pune dhe integrimi për të diplomuarit në tregun e punës, dhe jo të bazuar në fakultete që bëjnë pranime masive studentësh, pa kritere funksionale pranimesh, ndonëse ka prej tyre anëmbanë vendit që punësimin e diplomuarve te ata e kanë zero përqind.
Jam për një integrim të kulturës, shkencës, ekonomisë dhe administratës publike në kuptimin që në këtë të fundit të vërshojnë më të mirët dhe jo militantët.
Jam për hapje të departamenteve, fakulteteve dhe tregut universitar shqiptar dhe jo ndërtim të tyre si kazerma të ndara me thikë dhe administrativisht.
+++
Nuk mund të preken të gjitha, por po ndalem vetëm në disa këndvështrime makrouniversitare pa pasur as kohën duke mos qenë as vendi për t’i zhvilluar idetë imtësisht. Por, nuk janë pjesë e utopisë, pavarësisht se është një ëndërr. Mjafton të hedhësh sytë në Europë dhe kupton se arsimi dhe shkenca te ne janë nën frenat e politikës, administratës shtetrore vertikale dhe të politizuara pavarësisht se ky vertikalitet merr emrin « agjenci », si edhe nën presionin e interesave të disa shtresave të privilegjuara, të lidershipit dhe shtresave të privilegjuara lokale ose kombëtare. Përmbledhur : Politika te ne privon dhe mban nën zinxhira shkencën, arsimin universitar dhe edukimin. Pyetja ime sot është : A do politika një qytetar të formuar apo jo ? Apo do votues të paditur që manipulohet lehtësisht ?
+++
Konstatimi im është se në historinë e Shqipërisë, të shqiptarëve, edhe kur nuk ishte Shqipëria shtet më vete, diferencat mes nivelit të dijeve të rinisë të vendit dhe nivelit të të rinjve europianë sot janë më të mëdha sesa kurrë ndonjëherë më parë, edhe në krahasim me atë epokë kur latimin me daltën me gur e përdorte Greku dhe latimin me gur përdorte edhe Iliriani; lopën ushqente Italiani, apo Gjermani, lopën mirëmbante edhe Arbëri. Sot kohët janë të tjera. Hendeku është thelluar shumë.
– Tregu shqiptar i arsimit të lartë ka nevojë të hapet gjerësisht jo vetëm ndaj shqiptarofolësve të Ballkanit, por ndaj të gjithë të rinjve të Ballkanit dhe më gjerë. Politika e kuotave që kalojnë nga Ministria e arsimit u ka ardhur koha të tregojnë se janë si vrima gjëlpëre ku nuk kalon dot qarkullimi i studentëve dhe i pedagogëve.
– Maturantët shqiptarë nuk kanë pikën e arsyes të mos shkojnë lirisht dhe drejtpërdrejt të konkurrojnë për një vend studimi në universitetet të gjithë vendit, atje ku ata dëshirojnë, por të detyrojnë të kalojnë nën kontrollin e agjencive të ministrisë për t’i shpërndarë ata atje ku asaj i teket.
– Provimet e maturës duhet të shkëputen nga “thonjtë” e stafeve të shkollave të mesme, ku gëlojnë favoritizmat dhe privilegjet për militantët dhe presionet ndaj mësuesve, duke u organizuar në nivel qendra qarqesh, në salla dhe stadiume të mëdha.
– Kriteret e ekselencës, nën kontroll të fortë publik, më mirë se kushdo i vendosin dhe i masin universitetet përkatëse.
– Ka ardhur koha t’i jepet fund klonimit dhe mbivendosjes të katedrave të ndryshme që titullohen me fusha studimesh uniforme dhe homogjene, por të kërkohet që çdo profil i ri studimesh që identifikon një njësi bazë të ketë specifikat e veta të dallueshme prej të tjerave.
– Nuk mundet që pjesazhi universitar shqiptar të jetë akoma nën paragjykimin e hierarkisë në vlera midis universiteteve në Tiranë dhe atyre dytësore në rrethe ku e vërteta është se nuk dihet shumë se çfarë bëhet. Krijimi i katedrave të ekselencës në universitete të ndryshme, pa përsëritur njera tjetrën, mund të ishte hapi i parë i profilimit të ndjeshëm të universiteteve shqiptare çka do të gjallëronte periferinë e vendit dhe do të ndihte decentralizimin real të dinamikave urbane. Të shkoj ta zemë në Universitetin e Gjirokastrës se atje ta zemë do të kishte një fakultet gjuhësh dhe letërsie, më të mirin në vend, dhe jo sepse ngaqë jam me banim në Memaliaj, dhe nuk më doli e drejta e studimeve në Universitetin e Tiranës.
– Nuk ka më arsye që studenti në një universitet publik a privat të mos regjistrohet në më shumë se në një profil studimesh, njëherësh ose brenda një afati të caktuar disi më të gjatë kohe. Nuk ka përse vazhdohet me mendësi të viteve ’70 : një njeri një bursë studimesh gjatë gjithë jetës.
– Nuk ka asnjë arsye që studenti të mos bëhet co-hartues i programit të studimeve, dhe ta zgjedh ai vetë pistën e diplomimit nisur nga një listë e gjatë propozimesh lëndësh të bëra nga personeli.
– Tirana ka nevojë për ëndrrën e një qendre dokumentacioni dhe biblioteke qendrore universitare me rrezatim kombëtar, sikurse e ka çdo universitet i madh në Evropë, ku unë shoh një kullë, të vetmen kullë që gjeneron dritë dhe jo shkatërrim, me disa kate mbi tokë dhe po aq nën tokë, pajisur me librat dhe dokumentet për studim bashkëhore, me mijra vende studimi për universitarët.
– Unë ëndërroj që vlerësimet e diplomave të cojnë në një diferencim të njohur normativisht të tyre në varësi të cilësisë të universitetit që i ka dhënë ato. Diploma me nivele të ndryshme sipas niveleve të universiteteve në kohën e dhënies së tyre në vend të “shpatës” politike mbi aktorët universitarë me rrezikun e mosçertifikimit në cdo 4 vjet.
– Ka nevojë që njësitë publike pse jo edhe private të kthehen në asete ku bashkëpjesmarrës në aksione mund të të jenë shteti , vetë universiteti, pse jo edhe personeli pedagogjik si edhe biznese të ndryshme të interesuara. Financat universitare sikundër të gjithë financat ka vend t’i administrojë ai që jep paratë. Jo me borde inkompetente të zgjedhurish pasuar me individë që vijnë atje thjesht si militantë partiakë a të njohur ministrash, pa asnjë afatgjatësi strategjike në vizionin e tyre. Vijnë e ikin cdo katër vite.
– Nuk matet cilësia e universiteteve kryesisht me inputet si deri më sot, por me outputet, pra me atë se çfarë japin si rezultat, jo me atë që kanë si kushte paraprake. Askush nuk mat kështu rezultatin e punës. Kriteret bazë të vlerësimit të universiteteve janë arritjet në punën shkencore, niveli i dijeve i matur edhe nga provime kombëtare për lëndë bazë, si edhe nga aftësia për të ndërtuar programe studimesh që punësojnë dhe i japin impulse zhvillimit kombëtar.
– Sistemi i notave ka nevojë të kalojë me 20 ose 30 pikë që të dallojë mirë cilësinë e përgatitjes studentore.
Mbi këto kritere të vijnë edhe financimet buxhetore publike që atje ku duhet me konkurim publik të çelin fonde për profile studimesh ekselente pa mbajtur parasysh nëse universiteti është privat apo publik.
Krejt të tjera ka nevojë të jenë parametrat e matjes të nivelit të kërkimit shkencor. Sot ne kemi parametra shpesh korruptivë që masin aftësinë botuese të dikujt, por jo vlerën sociale të kërkimeve shkencore.
– Mbi të gjitha vendi ka nevojë për një diversitet qendrash shkencore dhe jo për prirje si ato të akademisë të shkencave, ndërtuar në formë staliniste, që kërkon, në kundërshtim e vetë ligjin në fuqi, të monopolizojë drejtimin e kërkimit shkencor të vendit, pa pasur asnjë potencial për këtë. Kombi duhet në çdo fushë të ketë prioritetet e kërkimit shkencor, që të jenë pista kërkimesh dhe kualifikimesh shkencore.
Nuk po zgjatem më tej, por një reformë e arsimit të lartë nuk është një program elektoral për të vota, është përpjekja pa kompromis për ta bërë kombin më të mençur. Jemi larg ! Përndryshe do të kënaqemi me shprehjen : “Hyp këtu të shohësh Stambollin !”