Çeli sot siparin “Java Çame”, një seri aktivitetesh kushtuar 30 vjetorit të themelimit të Shoqatës Patriotike “Çamëria”. E krijuar në janar të vitit 1991, kjo shoqatë ka luajtur një rol të rëndësishëm për sensibilizimin mbarëkombëtar të Çështjes Çame dhe të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë.
Në fjalën e tij, Kreu i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, z. Hektor Sejko, u shpreh se “Çamëria është amaneti i të rënëve në njërën nga tragjeditë më të rënda në historinë e Ballkanit dhe më gjerë”.
“Programi i Shoqatës sonë për riatdhesimin e popullsisë çame dhe rikthimin e të gjitha të drejtave njerëzore e kombëtare, mbështetet në rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që dënon si krime ndaj njerëzimit shkeljen e të drejtave ekonomike dhe politike të popullsive autoktone, siç është ajo e martirizuar e Çamërisë”, u shpreh ai.
Sejko shtoi se sfidat me të cilat përballet çështja çame sot janë akoma më të mëdha. “Qeverisë greke, që vazhdon ta mohojë ekzistencën e problemit çam, i është bashkuar dhe qeveria shqiptare, që po zbaton udhëzimet e fqinjëve për të çuar në harresë Çështjen Çame. Përballjet dhe lufta jonë me pushtetin e shitur nuk na kanë dobësuar, përkundrazi na kanë forcuar dhe na bindin akoma më shumë për legjitimitetin e përpjekjeve tona”, nënvizoi ai ai.
Në përfundim të fjalën së tij, z. Sejko bëri apel për organizmat dhe forumet më të larta ndërkombëtare që të vlerësojnë me realizëm kërkesat e vazhdueshme për zgjidhjen e Çështjes Çame dhe të apelojnë Greqinë për të hequr dorë nga mohimi i problemit.
Një nga arritjet më të mëdha të Shoqatës Patriotike “Çamëria” është edhe angazhimi konstruktiv politik përmes Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Për këtë, aktivitetin e përshëndeti kryetari i kësaj force politike, z. Shpëtim Idrizi. Në fjalën e tij z. Idrizi u shpreh se kur ai para 30 vjetëve ishte ndër studentët e dhjetorit për të rrëzuar diktaturën, burra të mençur nisën të krijonin Shoqërinë Atdhetare Patriotike “Çamëria”.
“Sot, na gjeni në politikë, teksa mundohen të na zhdukin dhe ne prapë çohemi. Na gjeni tek librat e shkollës, ku na heqin madje emrin “çam” dhe “Çamëri” dhe ne prapë çohemi. Na gjeni tek zgjedhjet, kur na vjedhin dhe ne prapë çohemi. Na gjeni, kur na vrasin dhe rivrasin me paktet e errëta për të shitur atdheun dhe ne prapë çohemi…. derisa të gjejmë zgjidhje dhe prehje vetëm në tokën tonë”, u shpreh Idrizi.
Më tej ai theksoi se në vitet ’90 disa “mendjendritur” thonin që Kosova ishtë çështje e vdekur dhe të njëjtën gjë përsërisin sot për Çamërinë. “Çamëria dhe Kosova e bëjnë Shqipërinë të qënësishme, e bëjnë shtet dhe komb që je i detyruar ta llogarisësh. Copëtimi e mban Shqipërinë të varfër, vasale, të padinjitetshme”, deklaroi Idrizi.
Ai u shpreh se fitorja më e madhe sot është faktorizimi i Çështjes Çame. “Jemi të fortë e besimplotë që sërish në Kuvendin e Shqipërisë do të kemi grupin tonë parlamentar, zërin tonë. Këto katër u përballëm me pushtetin që donte të na fshinte emrin. Por PDIU është lëvizje kombëtare, që do të çojë para Çështjen Shqiptare Çame, do të jemi bashkëkrijues të shumicës dhe qeverisë së nesërme”, përfundoi ai.
Në aktivitetin e organizuar përcollën mesazhe edhe personalitete të spikatur që kanë ndihmuar ndërkombëtarizimin e Çështjes Çame si ish-Presidenti i Asamblesë së OSBE-së, Ricardo Migliori, kreu i Federatës Panshqiptare Vatra, Ahmet Xhafo, kreu i Organizatës “Rrënjët Shqiptare”, Marko Kepi, shkrimtari i mirënjohur, Kim Mehmeti, dhe shumë të tjerë.