Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, foli sot për reagimet e kryeministrit Rama, përballë gazetares së Euronews, kur ajo e pyeti për trafik të armëve nga Shqipëria. Paloka tha se zbulimi i arsenalit të madh të armëve ditën e sotme, e vërteton akuzën ndaj kësaj qeverie dhe nuk justifikon agresionin e kryeministrit ndaj gazetares.
“Kur gazetarja e Euronews e pyeti për trafikun e armëve, Edi Rama iu hakërrye keq, sikur ajo po sajonte e po shpifte. Por, sot është kapur një grup që trafikonte jo vetëm armë të lehta, por dhe mitralozë e granata. Rama me siguri nuk di më pak se gazetarja e Euronews, por mundohet t’i fshehë këto trafiqe e trafikantët, dhe madje t’i mbrojë ata. Siç bëri me Balilin, siç bën me Habilajt e shumë banda të tjera. Po, krimet janë të rënda shumë e nuk mbulohen dot prej tij. Të habiturin e të paditurin bëri dhe për avionët e drogës, por ato mbushën qiellin. Është e qartë se Rama s’ka padije për këto punë, se këto punë bëhen me licensën e tij. Ai thjesht mundohet t’i fshehë”, tha Paloka.