Nga Tom Kuka
Liri e kishte kaq shumë për zemër sa kishte marrë një kasetë dhe e kishte mbushur në të dyja anët veç me të. Sa mbaronte kënga, ia niste sërish. Dëgjonte dhe nuk ngihej, porsi një i etur në shkretinë, kurse mua dergjur në shtrat nga çdo vrimë poreje më dilnin avuj e alkoolit. Qesh’ mbuluar nga një mjegullimë që vinte erë bërsish rrushi të përzier me ure. Kurse Leonard Cohen me zërin e tij të plotë po na lëçiste nekrologjinë.
Një ditë më parë i qemë turrur nga pas një artisti të qytetit, sepse Avniu na tha që na ndiqte, meqë ishte ashtu lulishtesh. Në fakt, e hasëm bashkë me Lirin tek hanim një pjatë groshë te ambulanca para mesdite e mandej vinte kudo që shkelnim ne. Në fund, na gjeti në klubin e Milanit, cili nuk donte gjallë në botë të na shënonte në libër kupat e fundit me fërnet.
– Shkruji o burrë, se këtu na ke dhe nesër,- i thoja unë.
– Nuk ka dalë Milani si Caritas-i,- ma priste gjithë ai kaba burrë që po i shkonte koka deri në tavan.
Avniu u nxeh dhe e shau.
– T’qifsha shkijen!
Milani e ngriti shishen e fërnetit e desh të na thyente kokës, por para na doli Liri që qe vetë sa një mal.
– Ule, a nuk e sheh që kena pi!
Milani u bind, por nuk lëshonte nga e vetja.
– Pagoni paret dhe krisni bythën qi k’tej! – kërcënoi dhe e kishte me tërë mend.
– Gjynah,- ia priti Liri,- fërneti yt është poezi… poezi e keqe si realizmi socialist, por poezi leshi mbetet… të bën me dhimbje koke…
Kërkuam të gjithë në xhepa të gjenim ndonjë pare, por asnjëri nuk kishte një kryq leku. Artisti i shkoi Milanit dhe i dha paret në vend tonë, madje donte të na afronte gjëkafshë tjetër, por malazezi na tregoi derën. Dolëm jashtë me duar zhytur thellë nëpër astarë, kurse “bamirësi” ynë na u afrua i buzëqeshur.
– Nëse doni di unë një vend tjetër që rri hapur…
Avniut i kërceu damari.
– Pse, ça dukemi ne? Bythqira?
I uluriu në fytyrë aq fort sa tjetrit ju valëvitën leshrat e lyera të zeza pis. I gjori njeriu u hutua paq, teksa frika i hynte në palcë dhe kokallat i bënin krrëk-krrëk. Përdrodhi këmbët. Donte të urinonte, por Avniu nuk e vuri re njollën që i mbiu mu në mes të pantallonave. Djersët që i mbinë mbi ballë nisën t’i rridhnin në faqe bashkë me gjurmët e bojës.
– Hë, më ça t’dukemi ne? – ju gafura dhe unë pas Avniut.
Liri si përherë u fut mes nesh dhe atij për të ndarë sherrin. E bënte me qëllim, në mënyrë që unë me Avnon të dukeshim dy shkurtabiqë marrokë, por artisti nuk kishte si ta dinte, madje do ketë vdekur me këtë çudi që e ka marrë me vete në arkëmort. Pasi vuri re që ajo rreze dritë që binte përtace prej hënës së plotë u zu nga Liri ynë i madh prej Malësisë së Gjakovës ia sëlloi më vrap. Fill nga pas ju lëshuam unë me Avniun. Liri na ndiqte, por shalët e gjata nuk e linin të rendte fort.
– Kape, se na iku bythqiri! – ulërinte Avno.
– Kape, kurvën! – ulërija unë i bërë cub prej pijes.
– Mosni çuna! – dëgjonim Lirin që na ngulte lutjet e tij në kurriz.
Por, ne ishim “bisha” që pinim duhan dhe bajagi shpejt na la fuqia. Preja jonë megjithë mend lagu pantollat, por ia doli të zhdukej në një nga rrugicat e Rusit. Kishim vendosur duart në gjunjë që të merrnim frymë dhe pështynim vrer nga mushkritë.
– Duhet me e lan’ duhanin,- tha më fund Avniu, pasi me mund kishte futur nja dy grushta ajër në mushkri.
– Unë nuk e lë dot,- ia preva.
– Pse?
– Nuk kam dashnore, prandaj zdërhallem rrugëve.
Liri na mbërriti. Ai është një malësor që po të vinte plis mbi krye lahuta do i kishte mbirë në dorë.
– Jeni të marrë! Ç’ju bëri robi i Zotit? Ju pagoi për të pirë. Pse more e bëtë njeriun të rendte si lepur?
– Është bythqir! – shpalli Avniu.
– Edhe?
– Është dhe pikë! – ia preva unë.
– Sa të marrë jeni pasha bukën!
Liri u lëshua udhës drejt qendrës dhe ne i shkuam pas. Në ecje nuk e kapnim dot, se i kishte shalët e gjata, ndaj pothuaj rendnim pas tij. Na e prenë udhën Pesë Heronjtë. Qemë bash në zemër të qytetit. Avniu më shkeli syrin dhe derdhëm ujët mu në këmbët e tyre.
– Po me këta ç’patët? – pyeti Liri.
– Asgjë, po nderojmë luftën.
Të gjitha këto i shihja si film, teksa dëgjoja pa fund “Dance me to the end of love”. Liri tymoste duanin e dredhur të Taraboshit që kishte blerë në Zdrale dhe e njomte me cirka uji, kur e mbante në të freskët poshtë krevatit marinara. Mua më erdhën zorrët në gojë. Arrita të shkoj deri në lavamanin e asaj kthine që i paraprinte dhomës. Kur u ktheva duhet të ngjaja me një kufomë, se Liri çeli dritaren.
– Më pëlqen shumë besa,- dhe lëshoi një tjetër shtëllungë, por që kësaj here e thithi qyteti prej folesë së dritares. Të gjithë tymosin në këtë qytet.
Më vonë, kur të tre u bëmë gazetarë Avniu shkroi një shkrim të ndjerë për artistin që vdiq, kurse unë piva një putir fërnet, kur ndërroi jetë Milani. Liri iku në Angli dhe më vonë në Amerikë. E mësoi gjuhën angleze, ndaj nuk kishte nevojë për kallauz, përkundrazi shqipëronte vetë poezi. Më shkroi, kur Leonard Cohen u bë Princi i Asturias. Ajo ka qenë koha që unë kërkova në Wikipedia dhe mësova që “Dance me to the end of love” është shkruar në ishullin e Hidras, ku poeti kërkonte muzën. Ky është vendi i arvanitëve dhe ku i dihet i ka ngatërruar për grekë si qëllonte në Shkodër që çamin e ngatërronin me tropojan.
Liri qeshte dhe thoshte:
– Më ka thënë baba që ju çamët rridhni prej Tropoje.
– Pra, unë, ti dhe Avniu jemi nga i njëjti vend?
– Po besa! Ti dhe Avniu dukeni sak malsuer, por nga dy pëllëmbë. Bashkë e bëni një të plotë.
Ai qeshte me potere, teksa dje, hasa që baba i Lirit ka vdekur dhe unë nuk shkoja dot deri në Markaj. Ç’ka më pengonte ishte e zakonshmja e një dite, ku çdo gjë e bën me plan qysh më parë, madje e shënon diku që mos ta harrosh.
Ndaj vura të dëgjoj e ridëgjoj “Dance me to the end of love”. Është kënga e fatkeqit që shkon në satër. Ata niseshin në dhomat e gazit rresht për një, ndërsa të tjerët që nuk e kishin orën atë ditë qenë të detyruar të luanin sazet. Është kënga e babës tim, gjyshit, të parëve tanë që Liri e ka për zemër t’i bëjë Malësorë të Gjakovës.
Është kënga e Tan Hasanit që çdo përvjetor shkon në varrin e Leonard Cohen dhe i lë poetit një duhan te rrasa e gurit, kurse vetë tymos. Kurrë nuk e pyeta:
– Tani, pse nuk e lë cigaren?
Është kënga e Jonit tim që po si unë mendon se para Bob Dylan Çmimin Nobel le ta merrte Fabrizio De André. E ka dëgjuar dhe i ka shkruar të pushtetshmit dy fjalë për Havzi Nelën.
Ai ka qëndruar tek shkallët dhe më thotë:
– Po ti, pse e ke lënë cigaren?