Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dështuar në zbatimin e reformave, tha Donald Trump në Uashington. Presidenti amerikan akuzoi OBSH për “keqmenaxhim” në krizën e Coronës dhe njëanshmëri në favor të Kinës.Presidenti amerikan, Donald Trump e bëri realitet kërcënimin e mëparshëm. Në grindjen për mënyrën e veprimit në pandeminë e Coronës, Trump e kishte akuzuar më parë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, OBSH, me ndërprerjen e vazhdueshme të kontributeve amerikane dhe me daljen e vendit nga kjo organizatë, nëse nuk ka “përmirësime themelore”.
Në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë të premten, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se mjetet financiare që SHBA i ka dhënë deri tani OBSH do të përdoren për projekte të tjera shëndetësie në botë që meritojnë mbështetje. Ai e akuzoi këtë organizatë se ndodhet nën kontrollin e Pekinit, megjithëse SHBA është vendi që paguan disa herë më shumë kontribute se Kina. OBSH nuk ka qenë gati për reformat e nevojshme. Që më parë presidenti amerikan e kishte etiketuar OBSH si “të fokusuar te Kina për ta shprehur më butë”. Ai ka bërë përgjegjëse OBSH për përhapjen e virusit Corona.
E paqartë nga konferenca është, nëse Trump nënkupton edhe një dalje formale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, nëse ai do të ndalë kontributet e detyruara të SHBA-së apo nëse SHBA nuk duan të ofrojnë më kontribute vullnetare për OBSH. SHBA kanë qenë deri më tani kontribuesi më i madh i OBSH. Sipas Trump shifrat e pagesave amerikane janë afër 450 milionë dollarë në vit. Kontributi i detyruar për vitet 2020, 2021 kap shifrën e 116 milionë dollarëve. Kontributi i Kinës për këtë periudhë arrin vetëm 57 milionë dollarë./DW