Përshëndeti këtë ditë Presidenti me një deklaratë , por… nuk mund të rrinte pa përshëndetur Babai i Reformës së saj, Fatmir Xhafaj.
Mediat u rrekën të gjejnë kuptimin e deklaratës përshëndetëse të reformatorit Xhafa. Por, si gjithnjë të kuptosh se ku e ka fjalën apo ku synon një person duhet të dish se me çfarë statusi e shkruan.
Nëse e ka shkruar si Sekretar i Rinisë së Partisë, 10 maji për të e partinë e tij komuniste ka qenë inekzistent. Për të drejtësia ka qenë një ndër kalatë që komunistët duhet ta merrnin me anë të reformës.
“Ka shumë punë, sfida për t’u përballur për ta realizuar atë, siç e ideuam dhe miratuam” -, dhe duke patur parasysh se ai dhe shokët e partisë punojnë me plane 5-vjeçare , mirë jemi kemi kohë ende…
Nëse e ka shkruar si ish-hetues i Sigurimit të Shtetit, Drejtësia ishte diktatura e proletariatit që lindi në 8 nëntor 1941, shumë larg nga Maji. Prandaj, ka të drejtë, kur thotë: “Besoj fort te Reforma në Drejtësi, te e ardhmja e saj. E sigurtë që kurrësesi nuk do të jetë si deri më sot, por shumë më e mirë, më e drejtë, funksionale, efiçente dhe kryesorja me njerëz me integritet dhe të aftë profesionalisht”. Ai ka marrë përsipër të vendosë në pikat kyçe të sistemit kolegët e kohës së tij, pasi ai beson fort që Partia Komuniste nuk duhet ta lëshojë në asnjë mënyrë pushtetin.
“Shembulli i 3 gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, çfarë ata janë duke bërë në pak javë, është ajo çfarë qytetarët presin nga drejtësia e re…”. Kështu shprehet ai për shokët e idealit që i njeh shumë mirë dhe i kishte piketuar me kohë në këto poste. Se çfarë pune mund të bëjnë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë në tre javë vetëm Babai i reformës e di.
Nëse e ka shkruar si ish-Ministër i Drejtësisë Socialiste (2003-2005), ka të drejtë të krenohet se punën për ta kapur drejtësinë e kishte lënë përgjysëm në vitin 2005, në kohën kur “luftonte” fort korrupsionin në dhënin e licensave të noterëve: “Drejtësi e re me kurajo e më me forcë ballë korrupsionit dhe krimit, abuzivizmit dhe arrogancës së pushtetit ndaj qytetarëve. Koha për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, për të dhënë dhënë shpresë e besim për shtetin e së drejtës…”.
E ka thënë plot shpresë e kurajo jo për “armiqtë” e reformës, por për të treguar se punët e lëna përgjysëm si Ministër Drejtësie në atë kohë, do i plotësojë sot me Reformën si fëmijën e tij.
Nëse e ka shkruar si ish-Sekretar i Përgjitshëm i Këshillit të Ministrave (1997-1999), ka dashur të përshëndesë drejtësinë që ai vendosi me duart e veta, në kohën që shpërndaheshin tokat dhe trualli për ndërtime në Tiranën Socialiste.
Nëse e ka shkruar si Kryetar i Reformës në Drejtësi ka dashur të përcjellë mesazhin e fortë që ky popull duhet të presë dhe disa dekada, derisa frytet e reformës së Babait Xhafa të piqen.
Në këtë 10 Maj, ka harruar të shtojë shprehjen e famshme latine “Drejtësi e Vonuar është Drejtësi e Mohuar”. Edhe pas miratimit të Reformës në Drejtësi, si dhe fillimit të zbatimit të saj, me largimin e shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve, me fillimin e institucioneve të reja të drejtësisë, treguesit e korrupsionit në vend janë përkeqësuar për vitin 2018 dhe 2019 sipas Transparancy Internacional. Kjo tregon se edhe Reforma në Drejtësi apo procesi i vetting-ut nuk ka ndikuar aspak për të përmirësuar treguesin e korrupsionit në Shqipëri. Ky fakt nuk besoj se i ka shpëtuar Babait të reformës që po reket të bëhet Babai i së Drejtës. Thjesht e ka nënvizuar se nesër bëhet nami. Vetëm duroni dhe disa mandate të qeverisjes socialiste.
Nëse e ka shkruar përshëndetjen si ish-ministër i Brendshëm, ka dashur të theksojë se iku njëherë e mirë koha e kanabizimit, institucionet e reja që po lindin si zogj inkubatori nuk do tolerojnë më dhe do luftojnë fort… nga sot… me të djeshmen s’kemi ç’bëjmë… iku…
“Ata që e duan siç e kishin DJE ta harrojnë!”. Dje, sot, nesër, ti e kishe dhe do e kesh në dorë si sekretar, si minstër, si hetues, si kryereformator.
Nëse e ke shkruar si vëllai i ndonjë të dënuari, mediat paskan patur të drejtë, kur përshëndetjen tënde e marrin si paralajmërim të fortë ndaj të korruptuarve dhe armiqve të Reformës në Drejtësi. Sepse, mediat e partisë e kuptojnë më mirë se kushdo që me ty Baba, Reforma është e pavarur, se ti nuk je anëtar i asnjë partie, është objektive, se ti nuk e ke ngjyer kurrë gishtin në qypin me mjaltë të pushtetit, dhe mbi të gjitha është ndërkombtarisht e pranuar, se ty si internacionalist i vjetër të duan të gjitha përfaqësitë e huaja në vendin tonë. Të duan, se je etaloni i pavarësisë, ndershmërisë dhe profesionalizmit, që e ke treguar ndër dekada jo në 10 Maj, por çdo 1 Maj.