Situata e pazakontë e krijuar nga koronavirusi ka lënë gjurmë të thella te njerëzit në mbarë botën, përfshirë këtu edhe elitën intelektuale, profesorë të njohur dhe shkencëtarë.
Profesori i Universitetit të Nju Jorkut dhe analisti i njohur Alon Ben-Meir shprehet koronavirusi nuk është një surprizë dhe se komuniteti i inteligjencës dhe institucionet e ndryshme shëndetësore kanë konkluduar më parë se një pandemi e tillë vdekjeprurëse mund të jetë në horizont.
“Është e trishtueshme dhe e turpshme që administrata e Trump jo vetëm që dështoi në mënyrë të mjerueshme për të njohur natyrën vdekjeprurëse të virusit, por u kap plotësisht e papërgatitur për të menaxhuar një pandemi të një shkalle të tillë”, tha të premten në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Alon Ben-Meir, studiues në Qendrën për Çështje Globale të këtij universiteti.
Ç’po ndodh profesor? Brenda banesës tënde në Nju Jork, çfarë ndien kur vështron jashtë dhe sheh botën nën këmbët e Covid 19?
Është pa dyshim një ndjenjë e çuditshme, të cilën nuk e kam përjetuar kurrë më parë. Vetëkarantinimi për një periudhë kaq të gjatë më ka dhënë mundësinë ta mendoj me kujdes këtë situatë, jetën time si dhe ngjarjet globale, të cilat më kanë lënë një përshtypje të thellë, në veçanti luftërat dhe konfliktet e dhunshme, të cilat kanë shkaktuar aq shumë dhimbje njerëzore, veçanërisht ndikimi i tyre te fëmijët, pafajësia dhe brishtësia e të cilëve duket sikur nuk ka aspak rëndësi te palët ndërluftuese. Kjo është ajo çfarë më ka motivuar për të shkruar në lidhje me zgjidhjen e konflikteve dhe të drejtave të njeriut. Vetëkarantinimi, gjithashtu më ka mundësuar të lidhem me shumë miq dhe të afërm të mi, me të cilët nuk kisha komunikuar apo parë prej kohësh, si dhe rilindi vendosmërinë time për t’u kushtuar më shumë kohë çështjeve që më shqetësojnë, veçanërisht ndryshimit të klimës, të cilën unë e konsideroj si një kërcënim më të madh për njerëzimin se koronavirusi.
Deri tani janë mbi dy milionë njerëz të prekur, mijëra të tjerë të vdekur, shtete të tëra në karantinë, vende të “ndara” me mure. Mendoni se Covid 19 e zuri vërtet në befasi njerëzimin?
Jo, unë nuk mendoj që koronavirusi është një surprizë. Shumë raporte po shfaqen qartazi duke sugjeruar që komuniteti i inteligjencës dhe institucionet e ndryshme shëndetësore kanë konkluduar më parë se një pandemi e tillë vdekjeprurëse mund të jetë në horizont, por jo shumë njerëz e morën seriozisht. Dje u raportua se Shtëpia e Bardhë u alarmua për faktin që pandemia po qëndron e heshtur dhe mund të shpërthejë dhe të përhapet në nivel global. Trump nuk bëri asgjë për t’i kushtuar vëmendje këtij paralajmërimi.
Ka dhjetëra e dhjetëra teori konspirative, të cilat po luajnë fuqishëm me mendjen njerëzore në këto ditë të vështira. Nga “mbiu” ky virus profesor, nga lakuriqët e natës, nga dora e njeriut, nga ufot, apo është ndëshkim nga Zoti?
Nuk do të jem aq mendjemprehtë për të sugjeruar nga erdhi virusi. Teoritë janë të shumta, të cilave nuk u kushtoj shumë vëmendje. As nuk mendoj që virusi është krijuar në një laborator dhe sigurisht nuk besoj se Zoti ka ndonjë lidhje me të. Ashtu si shumë pandemi të tjera si poliomeliti, gripi dhe malaria, ato krijohen në disa mjedise të caktuara, ku lidhen shumë elemente duke bërë të mundur lindjen e viruseve të tilla.
A është Covid 19 një sëmundje urbane si shprehje e drejtpërdrejtë e natyrës së globalizmit, që është intensifikuar shumë këto 3 dekadat e fundit?
Globalizimi nuk e krijoi virusin, por me siguri qëndron pas përhapjes së tij globalisht. Unë mendoj që ndryshimi i klimës, mund, po e përsëris, mund të ketë pak lidhje me të. Por nuk ka asnjë provë për këtë, të paktën deri më tani, për të vërtetuar këtë supozim. SHBA-të, konkretisht Nju Jorku, tani është qendra e pandemisë botërore.
Si ka mundësi që një superfuqi e botës të ngjajë si një tigër prej letre?
Po, është e trishtueshme dhe e turpshme që administrata e Trump jo vetëm që dështoi në mënyrë të mjerueshme për të njohur natyrën vdekjeprurëse të virusit, por u kap plotësisht e papërgatitur për të menaxhuar një pandemi të një shkalle të tillë. Sot, kur rreth 35,000 amerikanë tashmë kanë vdekur nga virusi dhe 684,000 janë infektuar, Trump dëshiron të rihapë ekonominë brenda disa javësh. Pavarësisht rrezikut të madh që e përfshin, për shkak të faktit që një ekonomi e fortë është thelbësore për rizgjedhjen e tij, ai nuk ka shanse të rizgjidhet në një recension të thellë, me popullsi në depresion dhe potencialisht me 30 milionë njerëz të papunë.
Ka një përplasje në distancë SHBA-Kinë, a është Covid 19 një virus kinez apo amerikan?
Është një çmenduri dhe raciste që Trump ta quajë koronavirusin një virus kinez. Fakti që virusi shpërtheu në Kinë, duke e quajtur atë virus kinez, nënkupton që është shkaktuar nga qeveria kineze, e cila nuk është e vërtetë. Për më tepër, gjurmimi gjenetik i virusit tregoi se epidemia e SHBA-ve, veçanërisht në bregdetin lindor e ka origjinën nga rastet në Evropë, jo në Azi. Nisur nga nevoja për bashkëpunim ndërkombëtar për të zhdukur virusin, SHBA dhe Kina e kanë të domosdoshme bashkëpunimin midis tyre.
Ndotja e mjedisit merr shumë më shumë jetë njerëzish sa të gjitha viruset bashkë. A është kjo një nga sfidat më të mëdha ekzistenciale, me të cilën po përballet njerëzimi?
Mund të shpresojmë që pas këtij ferri që po kalojmë, bota e marrëdhënia njerëzore të riformatohet për mirë?
Unë nuk mendoj që marrëdhëniet njerëzore do të riformatohen, pasi zakonet e vjetra vështirë të humben. Kjo do të thotë që përsëritja e virusit do të jetë afatgjatë dhe mund të shfaqet në mënyra të ndryshme, qeveritë do të përdorin fuqinë e tyre për të tejkaluar individualisht.
Në syrin tuaj, liderët botërorë janë “Zot, gënjeshtarë apo të çmendur?
Liderët botërorë sigurisht nuk janë Zot. Çdo lider është thjesht një qenie njerëzore, ata bëjnë gabime, disa gënjejnë më shumë se të tjerët, si Trump dhe shumë të tjerë janë joracionalë. Sërish më vjen në mendje Trump së bashku me Erdoganin e Turqisë dhe Putinin e Rusisë. Historikisht, shumë udhëheqës botërorë ishin të korruptuar, u pasuruan në kurriz të popullit dhe mbuluan gabimet e tyre politike, duke mos marrë asnjë përgjegjësi dhe duke ia hedhur fajin dikujt tjetër.
Profesor, ju jeni njohës i mirë i problemeve të Ballkanit Perëndimor. Edhe pse në situatë pandemie, cila është përparësia kryesore e vendeve që synojnë të bëhen anëtarë të BE-së?
Në gjendje pandemike, Ballkani Perëndimor nuk është më ndryshe se çdo vend tjetër. Ata duhet para së gjithash të ndalojnë përhapjen e virusit përmes distancimit social, testimit në shkallë të gjerë, gjurmimit të kontakteve të individëve të infektuar dhe sigurisht sigurimin e të gjitha pajisjeve të nevojshme shëndetësore, veçanërisht ventilatorët, maskat mjekësore dhe dorezat për punonjësit e kujdesit shëndetësor. Ndërsa shtetet e Ballkanit Perëndimor bëjnë çdo përpjekje për të asgjësuar virusin, ata kurrë nuk duhet të ndalojnë promovimin e demokracisë, duke iu përmbajtur plotësisht të drejtave të njeriut, duke zhvilluar ekonomitë e tyre dhe duke adresuar problemin e korrupsionit kudo që mund të ekzistojë.
Cili është mendimi juaj për situatën politike në Kosovë dhe Shqipëri?
Unë besoj se të dyja vendet kanë nevojë për udhëheqës më të pjekur, të cilët të fokusohen në interesin kombëtar dhe të lënë mënjanë grindjet e tyre personale për të mirën e vendeve të tyre përkatëse. Drejtuesit e dy vendeve duhet gjithashtu të kuptojnë se ndërsa ata duhet të mbajnë marrëdhënie të mira me Rusinë, Turqinë ose Kinën, ata nuk duhet të lejojnë këto vende të ushtrojnë asnjë ndikim politik dhe sigurisht të moskontrollojnë projekte të mëdha kombëtare. E ardhmja e tyre qëndron në BE dhe për këtë arsye, ata duhet të vazhdojnë të ndërmarrin reforma sociale dhe ekonomike që korrespondojnë me perspektivën socialo-ekonomike të BE-së.
APELI I ALON
“Unë besoj se të dyja vendet kanë nevojë për udhëheqës më të pjekur, të cilët të fokusohen në interesin kombëtar dhe të lënë mënjanë grindjet personale për të mirën e vendeve të tyre. Drejtuesit e dy vendeve duhet gjithashtu të kuptojnë se ndërsa duhet të mbajnë marrëdhënie të mira me Rusinë, Turqinë ose Kinën, ata nuk duhet t’i lejojnë këto vende të ushtrojnë asnjë ndikim politik dhe sigurisht të mos kontrollojnë projekte të mëdha kombëtare. E ardhmja e tyre qëndron në BE”, tha profesori Alon Ben-Meir.
NDRYSHIMI I KLIMËS
“Unë besoj se ndryshimi i klimës, i cili kryesisht është i përshpejtuar nga emetimet e gazit dhe aktivitete të tjera ndotëse të krijuara nga njeriu, paraqesin një rrezik shumë më të madh në planin afatgjatë se të gjitha pandemitë bashkë. Provat shkencore janë të padiskutueshme dhe çdo vend, veçanërisht SHBA, Kina dhe India, të cilët janë ndotësit më të mëdhenj, duhet ta marrin ndryshimin e klimës shumë seriozisht para se të jetë vonë”, u shpreh profesori i universitetit të Nju Jorkut.
KORRUPSIONI
“Liderët botërorë sigurisht nuk janë Zot. Çdo lider është thjesht një qenie njerëzore. Ata bëjnë gabime, disa gënjejnë më shumë se të tjerët, si Trump dhe shumë të tjerë janë joracionalë. Sërish më vjen në mendje Trump së bashku me Erdoganin e Turqisë dhe Putinin e Rusisë. Historikisht, shumë udhëheqës botërorë kanë qenë të korruptuar, janë pasuruar në kurriz të popullit dhe mbuluan gabimet e tyre politike duke mos marrë asnjë përgjegjësi dhe duke ia hedhur fajin dikujt tjetër”, u shpreh Alon Ben-Meir. /Gazeta Shqiptare.