Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë.
Meta ka dhënë argumentet ligjore për dekretimin e kthimit të ligjit në Kuvend.
D E K R E T
PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 20/2020 “PËR PËRFUNDIMIN E PROCESEVE KALIMTARE TË PRONËSISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,
D e k r e t o j
Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, për rishqyrtim sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.
Nr. Dekretit 11457
Tiranë, më 26.03.2020
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
ARSYET E KTHIMIT
TË LIGJIT NR. 20/2020 “PËR PËRFUNDIMIN E PROCESEVE KALIMTARE TË PRONËSISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 5 mars 2020, ka miratuar ligjin nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj në datën 10.03.2020 i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Kjo nismë ligjore nuk kaloi për miratim si paketë bashkë me ligjin nr. 111/2018 “Për Kadastrën”, siç u propozua, ndërkohë që u kërkua opinioni i Komisionit të Venecias për dispozita të projektligjit, të cilat kishin të bënin me kriteret për konfirmimin e të drejtës së pronësisë për tokën bujqësore për personat që dispononin Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi.
Ky ligj ka të deklaruar si qëllim të tij krijimin e bazës ligjore të thjeshtuar e të harmonizuar për përfundimin e proceseve kalimtare administrativo- ligjore të trajtimit të pronës së paluajtshme të shtetit dhe pronës private, qëllim ky i mirëpritur nga Presidenti i Republikës.
Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor në fuqi dhe në përfundim të shqyrtimit, çmon se disa nene të këtij ligji duhen rishikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pasi përmbajtja e tyre në formulimin aktual:
– cenon parimin e sigurisë juridike;
– bie ndesh me dispozita kushtetuese;
– rrezikon të krijojë tension kushtetues;
– si dhe nuk është në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.