Nga Mesila Doda
Më kujtohet para disa kohësh në një status timin për mjekët, kisha një ushtri me njerëz që komentonin, shanin e mallkonin mjekët dhe më kërkonin llogari mua që e kisha shkruar atë shënim.
Ishte një status i thjeshtë nisur nga zemërata e habia për arrestimin e një mjeku, sepse kishte bërë shumë operacione zemre e kjo kish dëmtuar buxhetin e kleptomanëve… e ishte një mjek i jashtëzakonshëm që ish kthyer nga SHBA për të ndihmuar vendin e tij dhe u trajtua si kriminel i rëndomtë. Sot, ai është larguar nga atdheu që u soll harbutërisht me të dhe bashkë me të janë larguar qindra e mijëra… një ushtri e tërë bluzash të bardha.
Sot, dolëm nëpër ballkone e duartrokitëm mjekët… bëmë shumë mirë, sepse ata meritojnë gjithë nderimin tonë, por sot u sollëm në atë mënyrë, se sot kemi veç Zotin në qiell e mjekun në tokë e jemi të frikësuar e sytë tanë shohin me shpresë vetëm tek bluzat e bardha, tek ata që i kemi sharë, fyer, goditur, arrestuar, veç për show politik, ata që i kemi përdhosur vendin që ata meritojnë në shoqërinë tonë. Mjeku nuk është vetëm profesion, është mision dhe ata e dinë shumë mirë e heshtin, ndërsa ne hedhim mbi ta gurët e turpit.
Ne e kemi lënë mjekun të keqpaguar, e pra sot mjeku duhet të paguhet sa 10 deputetë, sepse vlen më shumë se ta, sepse sakrifikon me shumë se ta, sepse mes Zotit dhe njeriut jeta kalon veç në duart e tij.
I duartrokitëm sot, po ata nesër do kthehen përsëri në qënie transparente e në përsëri nuk do i shohim, ndërsa sakrificat dhe modestinë e tyre do i quajmë si normale e si një detyrim që kanë.
Ky vend duhet të fillojë nga diçka e më e para; është të shohë e mos harrojë sakrificat e meritën e këtyre njerëzve, qënieve të vetme, të cilëve i besojmë jetën që na ka falur Zoti. E mos bëjmë më show me videokonferenca e deklarata patetike, po të sillemi si qenie të rritura e t’i japim mjekut vendin që i takon në shoqërinë tonë.