Ndeshja e së mërkurës në “Selman Stërmasi” ndoshta është edhe shpresa e fundit për synimet që kanë kundërshtarët e fushës. Në këtë derbi barazimi do të ishte fare i pavlerë, si për Tiranën, ashtu edhe Partizanin, pasi duke llogaritur kundërshtarët, bardheblutë mund ta humbasin përfundimisht shansin për të marrë pjesë në Europa League në muajt e verës, ndërsa të kuqtë mund të shohin se si korçarët do të festojnë titullin e gjashtë kampion. Por nëse tifozët e Partizanit janë në harmoni të plotë me skuadrën e tyre, tek Tirana ndodh e kundërta. Këta të fundit e kanë bojkotuar skuadrën në masë, madje e kanë shprehur qartë se nuk e duan më një të tillë, të përbërë me të njëjtët emra, përveç ndonjë rasti të veçantë. Edhe ultimatume i fundit për një fitore me deomos në mërkurën, nuk është se do të ndreqë marrëdhëniet mes palëve, por vetëm se nuk mund ta suportojnë një tjetër festë të rivalëve të tyre. Por pas një edicioni kaq “gri”, tifozët bardheblu e kanë me të gjithë, duke përfshirë drejtuesit e klubit të tyre, politikanët që e mbështesin në masë Partizanin nga tribuna VIP, sidomos në ndeshjet derbi, por edhe kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit, Erjon Veliaj. Ky i fundit konsiderohej si pronari i 34% të aksioneve të Tiranës (kaq posedon institucioni që drejton) dhe deklarata e tij se është tifoz i Partizanit sa e ka ndezur më shumë situatën. Dhe i gjithë mllefi do të jetë pjesë e koreografisë së të mërkurës, ku diçka është menduar t’i rezervohet edhe aksionerit “tradhëtar”.