Rakipi: Po marrim shumë vota në Veri, se ata e kuptojnë kauzën tonë dhe Vlora që është zemra jonë, duhet të nxjerrë dy deputetë në zgjedhjet e ardhshme
Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, tha në Vlorë se zgjidhja e Çështjes Çame është shumë afër. Në takim me strukturat e partisë në kuadër të anëtarësimeve të reja, Idrizi tha se PDIU po bëhet parti e madhe. “Për çdo njeri që thotë se kur do të zgjidhet Çështja Çame, unë po i them këtu sot se, Çështja Çame është shumë afër, është aq afër sa punojmë ne përditë, është aq afër sa ne marrim fuqi përditë, është aq afër sa ju na jepni fuqi për t’u imponuar në politikën shqiptare, për t’u imponuar kujtdo që nuk mendon si ne. Unë e kam thënë gjithmonë që ne jemi parti e pronës, parti e besimit në Zot, parti e Çështjes Kombëtare dhe e themi hapur që jemi edhe parti e Bashkimit Kombëtar, jo për të bërë retorikë.”
Kryetari i PDIU-së ka risjellë në vëmendje kërkesën e tij dhe deputetes, Mesila Doda, drejtuar Kuvendit për heqjen e dekoratave të komunistëve që kanë kryer krime ndaj popullit.
“Ka njerëz sot që janë pjesë e gjyqësorit, pjesë e prokurorisë apo administratës shqiptare dhe ne kemi propozuar që çdo funskion publik të bëhet pjesë e dekriminalizmit. Pas kësaj ne kemi marrë një nisëm tjetër ligjore, për heqjen e dekoratave të kriminelëve të të gjithë shqiptarëve. Sepse ne nuk mund ta pranojmë që krimineli Enver Hoxha, të jetë sot heroi i popullit. Në qoftë se Napoleon Zerva i vrau ata fizikisht, Enver Hoxha tentoi që këtë komunitet ta vriste moralisht”, u shpreh Shpëtim Idrizi, përpara anëtarëve të PDIU-së në qytetin e Vlorës.
Ndërsa deputeti Aqif Rakipi tha se në zgjedhjet e ardhshme PDIU do të marrë dy deputetë në qarkun e Vlorës. “Po i them komunitetit çam të Vlorës, që na mbështesni njëherë fuqishëm, na jepni votat dhe pastaj kërkoni ato që ju takojnë juve. Ne po marrim shumë vota në veri, se ata e kuptojnë kauzën tonë dhe këtu në qytetin e Vlorës të paktën të dalin dy deputetë. Vlora që është zemra jonë, duhet të nxjerrë dy deputetë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Aqif Rakipi.
Deputetja Mesila Doda tha se që në vitin 2012-të i ka dërguar një letër ish-kryeministrit Sali Berisha për bashkimin ekonomik, monetar dhe kulturor me të gjitha trevat shqiptare.
“Kam botuar një letër që i kam dërguar ish-kryeministrit Sali Berisha në vitin 2012, ku i kërkoja ngritjen e një grupi koordinator që kishte mundësi të ngrinte strategji në lidhje me bashkimin ekonomik, bashkimin monetar, bashkimin kulturor dhe me krijimin e të gjitha kushteve, që të krijonim një front të madh. Më pas erdhi periudha e zgjedhjeve dhe tashmë kemi disa mbledhje qeverie që nuk kanë prodhuar një poltikë të sigurt. Sot, kemi një rrugë të kombit, e cila nuk është përdour thuajse fare, kemi një vëllim këmbimi tregtar të Kosovës më të madh me Serbinë se sa me Shqipërinë dhe kemi shqiptarë të copëtuar. Sa herë bëhemi gati për një element të fuqishëm, na ndodh diçka, e cila ose është e sponsorizuar nga fqinjët ose armiku më i madh i vetes tonë, bëhemi ne shqiptarët”, u shpreh Mesila Doda.
Ligjvënësi i PDIU-së, Tahir Muhedini i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të anëtarësohen në PDIU.
“Ne sot falë kontributit tuaj jemi 5 deputetë. Por, ne nuk duhet të përçahemi, ne s’duhet të na kapi euforia, jo të krijojmë urrejtje për njëri-tjetrin, pasi mjaft na kanë sharë në periudhën e diktaturës. Ne i jemi mirënjohës të gjithë shqiptarëve jo çam që përkrahin çështjen tonë. Nëse në 2013-n morëm 5 deputetë, në 2017-n do të marrim më shumë. Ne duhet të jemi kontribues, që PDIU të marri minimalisht dy deputetë në qarkun e Vlorës”, tha Muhedini në fjalën e tij.
Ndërsa koordinatori i Qarkut Vlorë, Nikolin Hasanaj u shpreh se PDIU do të bëhet një force e madhe dhe do të dyfishojë deputetët në Qarkun e Vlorës.