Në 2015 Shqipëria kishte 223.864 të papunë
Gjatë vitit 2015 numri i të papunëve në Shqipëri është 223.864 persona. Shifrat u bënë të ditura në publikimin e fundit të INSTAT, ku thuhet se shkalla e papunësisë për grup-moshën 15-64 vjeç është 17,5 për qind. Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 33,2 për qind, 32,3 për qind për meshkujt dhe 34,7 për qind për femrat. Krahasuar me vitin 2015, shkalla e papunësisë së të rinjve pësoi një rritje prej 0,7 pikë përqindje. Sipas INSTAT, pesha që zënë të papunët afatgjatë në papunësinë gjithsej u rrit me 1,7 pikë përqindje. Gjashtë në dhjetë persona të papunë po kërkonin punë për herë të parë.
Krahasuar me vitin 2014, numri i të papunëve që po kërkonin punë për herë të parë u rrit me 1,3 për qind. Duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor në vitin 2015, në tregun e punës në Shqipëri vihet re që shkalla e papunësisë është më e lartë për personat me arsim të mesëm 20,4 për qind ndjekur nga ata me arsim të lartë 19,1 për qind.