Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike(OSHEE) ka mbyllur bilancin e treguesve kryesorë ekonomiko/financiar për vitin 2019 i konsideruar si më i vështiri sa i takon thatësirës së tejzgjatur,
Sipas një njoftimi të OSHEE, nga të dhënat e këtyre treguesve, humbjet në rrjetin e shpërndarjes në vitin 2019 zbritën në 21.7% (kur objektivi i BB është 23%) ndërsa një vit më parë ato ishin 23.9%.
Më tej bëhet me dije se arkëtimet pritet të arrijnë 97% të vlerës së faturuar çka përbën rritje me 2% prej parashikimit në Buxhet dhe në Planin e Rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjetik.
Bilanci 2019, OSHEE sqaron spekulimet mbi rezultatin financiar:
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përmbyllur të dhënat e treguesve kryesore ekonomiko/financiar për vitin 2019, i cili konsiderohet si më i vështiri, për shkak të thatësirës së tejzgjatur që çoi në mungesën e prodhimit nga HEC-et e Kaskadës së Drinit dhe ato private.
Kostoja e pashmangshme e mbulimit me energji importi të prodhimit të munguar ashtu sikurse ekzekutimi i detyrimeve në zbatim të vendimeve të gjykatave kanë sjellë përkeqësimin e rezultatit vjetor financiar të kompanisë por nuk kanë cënuar objektivat e vendosura në raport me reduktimin e humbjeve, rritjen e arkëtimeve dhe kontributin në Buxhetin e Shtetit përmes tatim/taksave.
Humbjet në rrjetin e shpërndarjes në vitin 2019 zbritën në 21.7% (kur objektivi i BB është 23%) ndërsa një vit më parë ato ishin 23.9%. Arkëtimet pritet të arrijnë 97% të vlerës së faturuar çka përbën rritje me 2% prej parashikimit në Buxhet dhe në Planin e Rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjetik.
Të ardhurat nga shitja e energjisë për vitin 2019 rezultojnë me një rritje prej 2% ose në vlerë rreth 1.3 miliard lek krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë këtij viti, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka paguar 8.1 miliard Lek Buxhetit të Shtetit përmes tatim/taksave. Brenda kësaj shume është edhe tatim-fitimi për vitet e mëparshme në vlerën 3.3 miliard lek.
OSHEE ka likujduar në këtë vit 100% të faturave korente ndaj Korporatës Elektroenergjetike, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Postës Shqiptare. Gjithashtu, është likujduar shuma prej 1.2 miliard Lek si pagesë për detyrimet e vjetra të trashëguara ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Në sajë të disiplinës financiare, OSHEE ka mundësuar edhe kryerjen e investimeve të domosdoshme për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rrjetit të shpërndarjes.
Përtej arritjes së këtyre objektivave, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pritet të dalë për vitin 2019 me një rezultat financiar negativ prej 7.4 miliard lekësh.
Kjo shifër reflekton pashmangshmërisht angazhimin e Operatorit të Shpërndarjes për:
- a) garantimin e furnizimit të vazhdueshëm me energji të konsumatorëve pavarësisht thatësirës;
- b) menaxhimin e situatës financiare pa rënduar mbi Buxhetin e Shtetit;
- c) mbajtjen e pandryshuar të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët final.
Gjatë 2019, shpenzimet për blerje energjie rezultuan 8.9 miliard Lekë më shumë se 2018. Pamundësia e Korporatës Elektroenergjetike për të prodhuar energji nga Kaskada e Drinit, detyroi OSHEE-në që këtë sasi që do duhej ta blinte me 1.5 Lek/kËh, ta siguronte nga importi me çmim mesatar prej 9.2 Lek/kËh. Në këto kushte, fatura e OSHEE për të garantuar furnizimin pa ndërprerje me energji për konsumatorët arriti për këtë vit në shifrën rekord prej 350 milion eurosh.
Ndryshimi i kontratës së KESH me OSHEE gjatë vitit 2019 e rëndoi edhe më shumë pozitën financiare të kompanisë. Sipas kontratës së mëparshme, KESH kompensonte Operatorin e Shpërndarjes në rastet kur ishte në pamundësi për të kryer furnizimin me energji në sasinë e kontraktuar përmes Kaskadës së Drinit. Me kontratën e ndryshuar, e gjithë barra financiare e garantimit të energjisë së munguar përballohet nga OSHEE pa kompensim prej KESH.
Dy element të tjerë, që nuk kanë lidhje me aktivitetin ekonomik të vitit 2019, kanë shkaktuar rritje të zërit të shpenzimeve operative dhe rrjedhimisht dhe përkeqësimin e rezultatit financiar vjetor.
Së pari, shpenzimi në shumën prej 2.3 miliard lekësh që përbën një detyrim të trashëguar, i cili do paguhet nga OSHEE përgjatë 22 viteve. Vlera është kamatvonesë që KESH i kishte llogaritur Operatorit të Shpërndarjes për fatura të papaguara të energjisë që para vitit 2015 nga CEZ Shpërndarje. Ky pretendim i trashëguar ka qenë objekt i shqyrtimit nga gjykata. Arritja e një dakordësie me mirëkuptim mes KESH dhe OSHEE për këtë mosmarrëveshje ishte një kusht i vendosur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Moszgjidhja e këtij konflikti pengonte disbursimin e kredisë prej 218 milion eurosh që BERZH firmosi me KESH për ristrukturimin e portofolit të kredive afatshkurtra. Dy shoqëritë publike OSHEE dhe KESH u dakordësuan ta zgjidhin me mirëkuptim konfliktin dhe kjo shumë detyrimi reflektohet në rezultatin financiar të këtij viti në zërin e shpenzimeve.
Së dyti, 1.2 miliard lekë shpenzime me të cilat OSHEE është përballur në zbatim të vendimeve të marra nga gjykatat, të cilat kanë trajtuar padi të depozituara ndër vite ndaj kompanisë. Në vlerësimin e OSHEE, një pjesë dërrmuese e këtyre vendimeve janë absurde, të pa mbështetura në ligj e madje kanë detyruar kompaninë të kryejë pagesat e menjëhershme pas vendimeve të shkallës së parë, pa pritur shqyrtimet e shkallëve të tjera gjyqësore të apelimit.
Përkundër sa aludohet në artikujt e publikuar në disa media, në zbatim të planit për menaxhimin e situatës së thatësirës së tejzgjatur, OSHEE ka mbajtur nën kontroll rigoroz të gjitha llojet e shpenzimeve të tjera operative përfshirë paga, shpërblime, karburant, kancelari, qira, një pjesë e të cilave vitet e fundit kanë ardhur duke u ulur në vlerë.
OSHEE fton cilindo të interesuar të njihet me zërat e bilancit financiar, sikurse ka vepruar gjithnjë në kuadër të transparencës.