Ballshiotët e Bylisit kanë filluar ta kuptojnë që për të qëndruar në Kategorinë Superiore duhet të bëjnë shumë më tepër se një garë të luftuar. Deri tani, në përpjekjet për të mbijetuar kanë pasur rival Flamurtarin, një emër i madh i futbollit të vendit, por që gëzon edhe reputacion më të mirë se mallakastriotët. Po… është pikërisht çështje reputacioni. Dy sezone më parë, në një ndeshje Bylis – Laçi, presidenti i atëhershëm i skuadrës vendase, Besnik Kapllanaj, sulmoi dhe dhunoi një nga drejtuesit e lartë të FSHF-së, Besnik Çelën. Bylis u largua nga kampionati, duke u zbritur një kategori më poshtë, ndërsa titullari i klubit u dënua të mos e shoqëronte më kurrë skuadrën. Ngjarja nuk është gëlltitur ende, madje ballshiotët u kthyen në Superiore me pahir, duke fituar një ndeshje të fundit në stadiumin “Roza Haxhiu”, ndërkohë që Lushnjës do t’i mjaftonte edhe një barazim për t’i zënë vendin midis më të mirëve. Presidenti i ri, Agron Kapllanaj, njëkohësisht edhe kryetari i Bashkisë së qytetit po ankohet për mungesën e ndershmërisë në garën e rivalëve, ndërkohë që i referohet edhe historisë së tanishme, duke kujtuar largimin nga elita të Partizanit dikur dhe tashmë Dinamos, skuadra me seli në kryeqytet dhe më të titulluara se Flamurtari. “Vlora pa Superiore? Nuk do të thahej deti”, por duket se nuk funksionon kështu, pasi ende nuk e kanë harruar shpullën ndaj Besnikut të Federatës.